Horrllëku i radhës në Kuvend kalon pa shumë bujë
Me një interesim gjysmak, ndez televizorin në orën 1:18 të mëngjesit. Vazhdon të transmetohet drejtpërdrejt nga salla e Kuvendit seanca e mocionit të opozitës ndaj kryeministrit Berisha, seancë e cila ka filluar, të paktën, që në orën 6 e vazhdon akoma 7 orë më vonë! Në foltore është Petro Koçi, i cili me një ritëm të ngadaltë e të lodhshëm flet për lidhjet Berisha-Fazlliç e pastaj kalon në denoncimin e marrveshjes së prillit mes PS-së dhe PD-së. I lehtësuar e shikoj tek largohet e përpiqem të kuptoj sesi mund të tërheqë njerëzit ky me këtë stil të foluri, por pastaj mendoj se është ora 1 e mëngjesit e s’është çudi që në këtë orë të gjithë të jenë të lodhur.
Fjala i jepet kryeministrit, i cili e fillon me Enver Hoxhën dhe e mbyll me një thënie që më lë gojëhapur edhe në këtë orë të vonë: Petro, ki kujdes Petro. Se këta të tjerët flasin me sinopse, por ti Petro ke probleme me ato që i shkruan gazetarëve. Ke probleme intimiteti ti Petro. E di ti Petro… (teksa i thotë këto fjalë Kryeministri, nga salla dëgjohen përgjigje me zë të lartë, ndërsa vetë kryeministri lëviz sikur do të hapë valixhen/dosjen që ka poshtë tryezës e sikur do të nxjerrë diçka që andej, por e ndalon në mes të lëvizjes dhe vazhdon të flasë me “Petron”).
Me sy të hapur, jo thjesht nga pagjumësia, por nga habia që mund të ndjejë një njeri normal ndaj një akuze të këtillë, poshtëruese për këdo, vë re se nuk ka një përgjigje nga foltorja prej z. Koçi, nuk ka një sfidë për botim të këtyre mesazheve, nuk ka një sfidë se nga i ka ardhur ky informacion (nëse ekziston) kryeministrit. Mos vallë ka diçka të vërtetë? Po fundja, ç’rëndësi ka, edhe sikur të ketë mesazhe intime, është e papranueshme që dikush t’i përdorë për shantazh dhe aq më tepër ta bëjë këtë publikisht, në mes të Kuvendit. Çudia, horrllëku i radhës në Kuvend, kalon pa shumë bujë.