E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngase shohin që nuk kemi pikë respekti për veten

Lexova një shkrim në shtyp të z. Lubonja, nga i cili kam shkëputur pjesën e mëposhtme, që mendoj se duhet trajtuar me vëmendje: “Para disa ditësh kryeministri Berisha inauguroi me pompë fillimin e punimeve në Lezhë të ndërtimit të një fabrike çimentoje (investim italianësh), që, sipas lajmit, do të prodhojë 3000 ton çimento në ditë dhe do të krijojë 200 vende pune. Janë 6 fabrika të tilla të planifikuara që do të prodhojnë çimento gjashtë herë më shumë sesa nevojat e vendit, kryesisht për jashtë.

Menjëherë të vjen të ngresh pyetjen: Si ka mundësi që, për 200 vende pune (nëse janë kaq, sepse dyshoj shumë për këtë), do të shkatërrohet për 200 vjet natyra përreth vendeve ku do të ngrihen këto fabrika, pa llogaritur gjirin e Shëngjinit që do të kthehet në një depo çimentoje dhe pa llogaritur sasirat e ndotjes që do të prodhojë në gjithë qiellin e bregdetit shqiptar kjo industri e paparë për nga dëmi ekologjik? Si ka mundësi që, për 200 vende pune, pylli i Krastës, që deri dje ishte i mbrojtur si pyll, të kthehet me dekret qeveritar në mal të thjeshtë shkëmbor që mund të gërryhet për t’u kthyer në pluhur çimentoje?

Si ka mundësi?… Kjo pyetje retorike e ka tashmë përgjigjen e vet. Është e kotë ta zgjasim. Kush e do mund ta gjejë në fjalimet e Berishës kur ishte në opozitë dhe denonconte Nanon e të tijtë për Petroliferën e me radhë.

Nëse shtron pyetjen se pse këta italianët nuk i ndërtojnë këto fabrika çimentoje në vendin e tyre, por shpenzojnë kaq shumë për transportin nëpër Adriatik, e më the të thashë, përgjigja që të thonë është se ata vetëm për këtë punë mund të vijnë këtu, sepse është e lirë krahu i punës. Përse tjetër do të vinin në këtë plehrë vend? – të duket sikur duan të thonë me përçmim për vendin e tyre vetë politikanët tanë. Sepse ata, me formimin estetik të peizazheve industriale të socrealizmit që kanë, nuk janë në gjendje ta shohin se Shqipëria është e bukur, shumë e bukur; fatkeqësish vetëm atje ku nuk kanë vënë dorë e këmbë shqiptarë si ata.

Por le të kthehemi tek italianët. Së pari, duhet sqaruar se ata nuk vijnë të ngrenë këtu fabrika çimentoje dhe TEC-e me qymyr për krahun e lirë të punës, por sepse atje, në vendin e tyre, nuk i lejon popullata lokale të bëjnë ekomonstra të tilla. Por edhe sepse janë të detyruar të paguajnë gjoba të mëdha, pasi nivelin e CO2-shit e të ndotjes në përgjithësi e kanë më të lartë sesa normat e lejuar evropiane. Ja pse vijnë këtu. Ngase shohin se ne nuk kemi pikë respekti për veten. Por edhe më e shëmtuar bëhet kjo histori kur këto projekte monstrash ekologjikë shoqërohen me premtime si ato të ministrit të Jashtëm, Fratini, për viza e për qarkullim të lirë e me deklarata përshëndetëse për punët e mira të qeverisë. Të keqen e Fazlliçit i thonë kësaj, po vijnë shokët e Berluskonit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›