E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Liçaj rikthehet trajner i Flamurtarit

Flamurtari gjen shumë shpejt emrin e ri të stolit. Prej dje, Edmond Liçaj, një emër shumë i njohur i futbollit vlonjat, por edhe atij shqiptar, do të jetë trajneri i Flamurtarit për periudhën në vazhdim. Liçaj, i cili sezonin e kaluar ka qenë në postin e drejtorit teknik, është emëruar në këtë post pas një konsultimi me drejtues të Flamurtarit, ndërsa për Liçajn posti i trajnerit të Flamurtarit vjen në një situatë aspak të mirë pas rezultateve të fundit. "Një detyrë të cilën e kam pranuar me kënaqësi, - është shprehur ai. - Natyrisht, nuk mund të themi që situata është e favorshme, por edhe herë të tjera kam treguar se di ta nxjerr ekipin nga situata. Do të vë në dispozicion të Flamurtarit të gjitha aftësitë e mia për të arritur ringritjen sa më shpejt të jetë e mundur, por edhe të realizojmë objektivat e klubit, që natyrisht korrespondojnë edhe me objektivat e mia për ta parë Flamurtarin mes ekipeve më të mira të futbollit shqiptar, ashtu siç e ka traditën klubi ynë," - ka thënë Edmond Liçaj, i cili njihet pa dyshim edhe si trajneri i vetëm, ku në drejtimin e tij Flamurtari ka fituar të vetmin titull kampion në vitin 1991.Tashmë Liçaj rikthehet në këtë post me synimin ngritjen e ekipit në ato nivele që i kërkon edhe sportdashësi vlonjat. Ndërkohë, ndihmësi i trajnerit Liçaj në stolin e Flamurtarit do të jetë një tjetër emër i njohur për opinionin sportiv në Vlorë, por edhe më gjerë, si një trajner që, veç Flamurtarit, ka drejtuar edhe ekipe të tjera. Bëhet fjalë për Petraq Bifshën, i cili do të marrë tashmë detyrën e zv.trajnerit të Flamurtarit, duke zëvendësuar në këtë rol Ardi Beharin. Së bashku me Liçajn dhe Bifshën, në stafin teknik të Flamurtarit, detyrën e trajnerit të portierëve do të vijojë ta kryejë i mirënjohuri Luan Birçe, trajner i cili ka qenë në këtë detyrë, ndërsa puna e tij është vlerësuar pas konfirmimit të dy portierëve, Moçka dhe Xhelili. Ndërsa një tjetër rol, ai i përgatitësit atletik, do të kryhet nga Theodhori Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›