Abraham: Rezultat i drejtë
Abraham, mbrojtësi i majtë i Tiranës ka shprehur keqardhje për golin e pësuar në pjesën e parë. Ai i cilësoi kundërshtarët të nivelit mesatar dhe ka ende shpresa se Tirana mund t’ia dalë në ndeshjen e kthimit. “Më vjen keq, sepse për atë që dhamë në fushë, mendoj se mund të merrnim edhe fitoren. Gjithsesi, rezultati i ndeshjes mendoj se ishte i drejtë, pasi edhe kundërshtarët patën raste për të shënuar. Nëse nuk do të kishim pësuar gol në pjesën e parë, mund të kishim pasur më shumë shanse, por gjithçka mbetet e hapur dhe ne do të provojmë mundësitë tona në ndeshjen e kthimit”, ka thënë nigeriani. Ndërkaq, mesfushori Jetmir Sefa, mendon se rezultati 1-1 është i mirë dhe se Tirana mund të kualifikohet. “U përpoqa të bëja më të mirën në këtë ndeshje, por duhet të pranojmë se Stabeku ishte më i përgatitur fizikisht. Gjithsesi, rezultati 1-1 nuk është i keq, pasi mund t’ia dalim mbanë në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Sefa pas ndeshjes.