E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj: T’i kthejmë lavdinë Vlorës

 

ARTUR DEMAJ

Është i bindur në ato që thotë, por edhe superticioz, kur mban shiritin në krah.Kapiteni i Flamurtarit, Halim Begaj, është njeriu që sot parashikon kthimin e lavdisë së ekipit kuqezi në arenën ndërkombëtare. Ka gjashtë sezone që është pjesë e ekipit, por rolin e kapitenit e ka marrë menjëherë pas fillimit të përgatitjeve për sezonin 2009-2010. Shumë optimist, por duke e argumentuar gjithçka, mbrojtësi Begaj parashikon suksesin e vlonjatëve kundër Modhëruellit. “Jemi përgatitur vetëm për suksesin në këtë takim “shtëpiak”. Unë shpresoj të përfundoj njësoj si takimi i parë gjysmëfinal i Kupës së Shqipërisë kundër Shkumbinit, ku personalisht gjeta golin. Kemi punuar shumë për të marrë një fitore ndaj Modhëruellit. Shikoj që grupi ndihet mjaft në formë, madje në ekip ka një konkurrencë të fuqishme, e cila bën që çdo lojtar të pretendojë formacionin”, nis bisedën e tij për “Panorama” kapiteni i Flamurtarit.
Krahasimi
Halim Begaj beson se ky grup do të fitojë sot, kështu që në prag të takimit nuk ka munguar apeli i kapitenit vlonjat në adresë të shokëve të tij, në një kohë kur ndaj skocezëve pretendohet të arrihet kualifikimi. Begaj u bën thirrje të veçantë menaxherëve, specialistëve të futbollit dhe trajnerëve të kombëtareve, por nuk ngurron të bëjë edhe krahasime. “Jam i bindur që edhe ky grup lojtarësh i ngjan brezit të Geri Çipit, Adrian Aliajt, Ervin Skelës etj., që kanë veshur fanellën e Kombëtares. Kështu që kam një ftesë të veçantë për trajnerët e Kombëtares, të cilët duhet të asistojnë në këtë shfaqje, për të hedhur vështrimin edhe tek Flamurtari. Suksesi që pretendojmë në këtë edicion i takon këtij grupi. Për të realizuar objektivin që fillon me fitoren në Vlorë dhe kualifikimin, i bëj apel shokëve që të japin zemrën në  fushë. Më shumë se kurrë, kërkohet përqëndrim dhe grintë, për t’i dhuruar Vlorës një sukses që i mungon prej kohësh. Jam i bindur që të gjithë jemi përgatitur për një shfaqje të vërtetë ndaj Modhëruellit. Do të kërkojmë t’i kthejmë lavdinë Vlorës, që i ka munguar ky emocion. Unë kam shumë besim se do të ndodhë kështu, megjithatë le t’ia lemë fushës”, ka thënë mbrojtësi i kuqezinjve. Ky do të jetë njëkohësisht edhe takimi i parë ndërkombëtar për Begajn, ashtu si për shumicën e lojtarëve kuqezi, të cilët nuk kanë eksperiencë në të tilla përballje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›