Shtubina e bën rrugë, tani do gol në Vjenë për Vllazninë
Ka arritur të shënojë një gol shumë vendimtar në takimin e kthimit ndaj Sligos Rovers dhe tashmë kërkon të përsëritë suksesin personal edhe kundër Rapidit të Vjenës. Mesfushori i talentuar, Ndriçim Shtubina, është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm për Vllazninë, teksa me galopimet e tij nga krahu i majtë, gjithnjë ka qenë i rrezikshëm për kundërshtarët. Në prag të sfidës me austriakët, 22-vjeçari premton një tjetër gol, që pas një rezultati të mirë, është një nga dëshirat më të mëdha të tij sot në stadiumin “Hanapi” të Vjenës. “Natyrisht që dëshira ime në këtë takim është që të bëjë më të mirën, së bashku me ekipin. Duam të arrijmë një rezultat pozitiv, që për ne do të ishte mrekulli kundër Rapidit, në këtë ndeshje të parë,”- thekson Shtubina. Për sa i përket aspektit personal, mund të them se kam besim se do të bëj atë që realizova kundër Sligo Rovers. Jam shumë optimist”. Për mesfushorin me tipare më shumë sulmuese, Rapidi nuk ka asgjë të përbashkët me irlandezët e Sligos. Vlerat që mbartin të dy ekipet në vetvete, janë shumë larg njëra-tjetrës dhe Shtubina tregohet i sinqertë për forcën e austriakëve. “Nuk kam çfarë të them për Rapidin, sepse dihen vlerat dhe forca e këtij ekipi, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ndryshe nga Sligo, austriakët janë një emër i madh dhe i njohur për ne. Mund të them se kemi një takim shumë të vështirë e aq më tepër që Rapidi do të kërkojë të mbyllë gjithçka, për sa i përket kualifikimit, që në takimin e parë. Prandaj, unë e shoh si një 90-të minutësh shumë të vështirë për ne. Megjithatë, jemi përgatitur për të zhvilluar një takim sa më dinjitoz. Nëse vemë shpirtin në fushë, mund të arrijmë një rezultat të favorshëm”, ka thënë talenti shkodran në një bisedë për “Panorama”.