Muka mban gjallë ëndrrën
Një gol i kapitenit Devi Muka, në të 50’, jo vetëm që ka barazuar rezultatin e ndeshjes në 1-1, por ka mbajtur gjallë shpresat e tiranasve për një kalim të turit. Kampionët, të cilët nuk kanë tre lojtarë nga sezoni i kaluar, pasi mungon Ansi Agolli, Toni Pezo dhe Migen Memelli, e kishin të vështirë të përballonin Stabekun, që është në mesin e kampionatit. Dhe diferencat ndihen që në pjesën e parë. Duket sikur bardheblutë janë duke studiuar kundërshtarin, ndërsa qëndrojnë të tërhequr në zonën e tyre, duke e pritur atë. Por në fakt, norvegjezët të fortë fizikisht dhe të shpejtë në lëvizje i gjejnë hapësirat e duhura për të goditur portën e Nallbanit. Skjonsberg është shqetësues për mbrojtjen bardheblu, ashtu sikurse japonezi Kobajashi në të djathtë të mesit të fushës, apo dhe Olsen, Berglund e Diskerud. Megjithatë, edhe duke u mbështetur te kundërsulmi, bardheblutë mundohen të godasin. Madje në të 12’ është anuluar goli i Sabien Lilës për pozicion jashtë loje. Vjen një gjuajtje e Sefës nga jashtë zonës dhe vetëm kaq për Tiranën në 45 minutat e para. Gabimi ka ardhur nga Muzaka në spastrimin e zonës, kur një veprim foshnjerak i mesfushorit në kontrollin e topit, i jep mundësi japonezit Kobajashi që të na ndëshkojë. Pjesa e parë mbyllet me këtë gol të miqve, të cilët, duke llogaritur që është gol në fushën kundërshtare, janë më shumë se të kënaqur. 45 minutat e dyta kanë një tjetër pamje, edhe sepse Lonçareviç e ka çuar më pranë Daniel Xhafës, kapitenin Muka. Mesfusha merr frymë dhe Sefa e Devolli, por dhe Sabien Lila e Andi Lila janë më të gjallë. Madje merr pjesë dhe Abraham e gradualisht nuk vonon dhe goli i bardhebluve. Muka, si nuhatës i mirë i portës kundërshtare, nuk ka falur një veprim të pakontrolluar të portierit Knudsen. Lonçareviç nis ta freskojë skuadrën, fillimisht me Mohalebi dhe më pas me Abilaliaj. Veçse ka vështirësi për të gjetur të tjera hapësira në mbrojtjen norvegjeze. Ndoshta Daniel Xhafaj, nëse do të kishte qenë më i qetë në zonën e rreptësisë, mund dhe duhet ta kishte shënuar golin e dytë, që do të sillte një tjetër atmosferë te tifozët bardheblu. Ata kanë mbështetur fort presidentin Refik Halili dhe lojtarët, por jo shefin e klubit, Rauf Dimraj, që duket se për ta është njeriu më antipatik dhe që nuk i përket të jetë në krye të klubit bardheblu. Norvegjezët, për hir të së vërtetës duhet pranuar se, në pjesën e dytë janë kujdesur më shumë për të ruajtur avantazhin. E pas pësimit të golit dhe për të mos humbur. Janë ndjerë në ndonjë moment, por për fatin e mirë të bardhebluve nuk ka pasur gol tjetër. 1-1 në “Qemal Stafa”, një Tiranë që tashmë shpreson të bëjë mrekullinë në Norvegji, sepse e ka eksperiencën e pjesëmarrjeve në Kupat e Evropës dhe të përmbysjes së situatave.
Tirana–Stabek 1-1
Golat: Muka 50’/Kobajashi 34’
Tirana: Nallbani, Dabulla, Lila, Sefa, Mukaj, Devolli, Abraham, Muzaka (58’Mohelebi), Osmani, D.Xhafaj, Lilaj (85’Abilaliaj)
Trajner: I.Lonçareviç
Stabek: Knudsen, Segerstrom, Hoger, Keller, Kobajashi, Skjonsberg, Farnerud, Olsen, Diskerud, E.Hedenstad, Berglund
Trajner: J.Jonson
Gjyqtarë:
R.Shorgenhofer, A.Hoxha, M.Strudl (Austri)
Kartonë të verdhë: Muka, Devolli, Lila/Keller
Ndeshja ndërpritet tre herë nga gjyqtari
Ndeshja Tirana-Stabek është luajtur nën një temperature të nxehtë, që ka shkuar 30 gradë celcius. Vapa ka qenë e madhe, ndërsa gjyqtari austriak Shorgenhofer është detyruar ta ndërpresë lojën në minutën e 27-të. Futbollistët e të dyja palëve janë drejtuar te shishet e ujit për të shuar etjen. Dje është vënë re edhe zemërata e tifozëve ndaj shefit të klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, nuk është shuar. Shpërthimi i madh i tyre ka ardhur dje. Një parrullë e madhe: “Rauf Dimraj ti s’je gjak bardheblu, shporru nga Tirana”, është nxjerrë nga tifozët sapo ka nisur ndeshja. Bardheblutë e Lonçareviçit nuk kanë aktivizuar asnjë nga ardhjet e reja gjatë merkatos së verës në formacionin e parë. Që do të thotë se si francezi Mohalebi, por dhe vlonjati Abilaliaj e kanë nisur lojën nga stoli. Dhe formacioni i bardhebluve thuajse ka qenë i vjetëruar.