E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abramoviç, 111 mln euro për ngritjen e Çelsit



111 milionë euro në dispozicion të Karlo Ançelotit për të rindërtuar skuadrën e çelsit. Kjo është shuma që bosi i londinezëve, rusi Roman Abramoviç ka nxjerrë nga xhepat për të përforcuar sa më shumë "ansamblin e yjeve". Sipas raporteve të mediave britanike, Abramoviç, pas eliminimit të dhimbshëm nga 1/8 e finales në Ligën e Kampioneve kundër Interit, dëshiron të bëjë një sforco të fundit për të arritur objektivin e tij primar për sezonin tjetër, fitimin e Kupës së Kampioneve. Ky trofe është i vetmi që i mungon Abramoviçit që prej ardhjes së tij në krye të këtij klubi në korrikun e 2003-it. Prej atij momenti mandati rus ka shpenzuar më shumë se 750 milionë euro në blerje futbollistësh. E përditshmja "The Sun" raporton se në listën e dëshirave të çelsit janë lojtarë si: Bastian Shvajnstajger (Bajern Mynih), Fernando Torres (Liverpul), Serxhio Aguero (Atletiko Madrid), David Vija (Valencia) dhe mbrojtësi brazilian i Interit, Maikon. Përveç investimeve për transferime të reja është biseduar haptazi edhe për ata lojtarë të cilët do të nxirren në merkato: Xho Kol, Deko, Nikolas Anelka, Paolo Ferreira, Juliano Beleti dhe portieri Hilario. Ndërkohë që mbetet e paqartë ende e ardhmja e gjermanit Mikael Balak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›