E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan me sopatë,pendohet për vajzën



KORçE - Sektori i krimeve të rënda në policinë e Korçës ka përcaktuar depresionin si shkak të krimit në familje nga ana e Hekuran Demirit në fshatin Eçmenik në Devoll. Pas krimit, 65- vjeçari ka dorëzuar sopatën me të cilën vrau gruan Barije Demiri, si dhe plagosi vajzën Sonila Demiri dhe kunatin. Sipas policisë, i moshuari nuk ka shfaqur shenjë pendese për vrasjen e gruas së tij dhe plagosjen e kunatit. Ai ka pyetur vetëm për fatin e vajzës së tij. “Nuk doja të qëlloja vajzën time, por ajo doli në mbrojtje të nënës së saj dhe unë e godita me sopatë”, është shprehur 65-vjeçari. Policia tha se autori dhe me qëndrimin e tij në izolim ka shfaqur kriza depresioni. Në spitalin e Korçës vazhdon të trajtohet në reaminacion e plagosura rëndë në kokë Sonila Demiri. Mjekët e kanë trajtuar me qetësues për të kaluar në gjumë gjendjen e saj të rënduar. “Nuk kemi dashur t’i themi për nënën e saj të vrarë, sepse ajo është ende në një gjendje kritike për jetën dhe po trajtohet me qetësues”, u shprehën mjekët. Vrasja e 60-vjeçares Barije Demiri, sipas policisë ka ardhur nga vendimi për ta vizituar të moshuarin me kriza depresioni. Sherri në familjen Demiri ka nisur nga kërkesa e të afërmve për ta dërguar që të vizitohej atë ditë në spitalin e Bilishtit. Por, i moshuari nuk ka pranuar dhe ndërsa gruaja e tij ishte ajo që këmbëngulte më shumë, ai ka reaguar duke rrëmbyer sëpatën dhe duke e masakruar atë në oborrin e pasmë të shtëpisë e duke plagosur më pas vajzën dhe kunatin e tij, të cilët janë ndodhur në ato momente në banesë. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›