Hungari, Kryeministri me rrogë simbolike: “Fitoj 4 cent në vit”
Në një vit në detyrën si Kryeministër i Hungarisë, Gordon Bajnai ka mbledhur plot 4 cent (12 fiorine). Kreu i Qeverisë në Budapest ka deklaruar në një intervistë për gazetën tabloid “Blikk”, se ka zgjedhur vetë të marrë këtë pagesë simbolike, në shenjë solidariteti me punonjësit e tjerë të sektorit publik, të cilëve u janë shkurtuar pagat dhe shpërblimet gjatë kësaj periudhë të krizës ekonomike për vendin e Evropës Qendrore. Bajnai është biznesmen dhe u vu në detyrën e kreut të Qeverisë emergjente të vendit për të zëvendësuar socialistin, Ferenc Gyurcsany. Objektivi i tij ishte të zbatonte një plan të ashpër kursimi, i cili ishte i nevojshëm për Hungarinë për të përballuar shpenzimet publike në një kohë që vendi po kalonte një krizë të thellë ekonomike, dhe kjo është mënyra me të cilën ai shpjegon rrogën e tij fare simbolike, të cilën e ka zgjedhur vetë. Kryeministri ka pranuar se edhe vetë në karakter është kursimtar, dhe shumën e marrë nga detyra e tij si kryeministër nuk do ta shpenzojë, por do ta ruajë si kujtim për këtë periudhë 1-vjeçare në drejtimin e vendit. Zgjedhjet e reja në Hungari janë planifikuar të mbahen më 11 prill dhe nëse ka balotazh do të ketë një fazë të dytë më 25 prill. Në intervistën e tij në “Blikk”, Kryeministri i qeverisë së “shpëtimit” ka deklaruar se ka bindjen e plotë që Hungaria do të futet në zonën euro, brenda vitit 2014, nëse Qeveria që do të vijë në Budapest, do të mbajë një linjë korrekte bilanci.