Samiti BE-Ballkan rrezikon të dështojë nga qëndrimi i Serbisë
Mosmarrëveshja e Serbisë dhe Kosovës për titullin që do të marrë përfaqësimi i Prishtinës në samitin ballkanik në Bërdo, Slloveni, po rrezikon suksesin e takimit. Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompi, është takuar me Kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor, pasi ky i fundit zhvilloi një vizitë surprizë në Beograd, por pas takimit nuk është dhënë ndonjë njoftim për mediat. Pahor tha shkurt se “nesër është ditë e re” dhe nuk dha shpjegime se a do të marrë pjesë zoti Rompi në samitin BE-Ballkani, në Bërdo afër Kranjit, më 20 të këtij muaji. Burime nga BE dhe ato sllovene nuk u kanë dhënë gazetarëve informacione se a do të marrë pjesë Rompi në këtë samit apo jo. Më herët është raportuar se ai ndoshta nuk do të marrë pjesë për shkak të mospajtimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ndërkohë të gjitha vendet e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, përfshirë edhe Kosovën, e cila konfirmoi se do të prezantohet si shtet dhe jo nën petkun e UNMIK-ut. “Kosova do të përfaqësohet në konferencën e Bërdos si shtet i barabartë me vendet tjera”, ka rikonfirmuar zv.Kryeministri Hajredin Kuçi. Serbia insiston që Kosova të përfaqësohet atje në kuadër të UNMIK-ut. Një kërkesë e tillë është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare. Ndërsa po vazhdojnë përpjekjet diplomatike të Sllovenisë për organizimin dhe përfaqësimin e të gjithë liderëve të rajonit në konferencën e Bërdos, Qeveria e Kosovës përsërit qëndrimin se në këtë takim, Kosova mund të përfaqësohet vetëm si shtet i barabartë me vendet tjera. Zv.Kryeministri Hajredin Kuçi thotë se ftesa për pjesëmarrje, Kryeministrit Hashim Thaçi i është dërguar në cilësinë e kryeministrit të një shteti sovran dhe në këtë cilësi do të shkohet në Bërdo. “Kosova do të përfaqësohet si e barabartë kudo në forume ndërkombëtare. Edhe në rastin e takimit të Bërdos, afër Kranjit, jam i bindur se Kryeministri i vendit do ta ketë përfaqësimin e shtetit të Kosovës në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë me të gjitha shtetet tjera pjesëmarrëse në atë takim”, thotë Kuçi. Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës së tij në Kosovë deklaroi se nuk janë tejkaluar mosmarrëveshjet në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Bërdo afër Kranjit.
Fule: Të gjithë në samit
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stephan Fule deklaroi se konferenca, që do të zhvillohet në Slloveni, do të japë mesazhe pozitive dhe se atje duhet të jenë të gjithë liderët e rajonit. “Konferenca zhvillohet për bashkëpunimin rajonal dhe kjo është arsyeja që përfaqësuesit e të gjitha vendeve të jenë atje”, deklaroi Fule për televizionin serb, “B92”. “Sipas kritereve të Kopenhagës, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira mes vendeve fqinje janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai. “BE kërkon ta ndihmojë Serbinë në afrimin drejt Evropës dhe entuziazmi i parë në fund të vitit 2009 dhe në fillim të këtij viti duhet ruajtur”, theksoi komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stephan Fule në vizitën zyrtare në Serbi. Nga ana e tij, Kryeministri serb ka deklaruar se Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse në samit si vend me status neutral.