Autobusi i nxënësve përplas kalimtarët, vdes 48-vjeçarja
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Autobusi i gjimnazistëve të nisur për ekskursion në Durrës përplas çiftin e kalimtarëve. Gruaja ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa i shoqi ndodhet në gjendje kritike. Aksidenti i rëndë u shënua rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, pranë ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Autobusi me targë LB 1965 A, i mbushur me rreth 50 nxënës të viteve të para të shkollës së mesme të fshatit Polis, po udhëtonte drejt qytetit bregdetar. Sipas burimeve të policisë, çifti Skënder dhe Sabrije Kullolli, përkatësisht 55 dhe 48 vjeç nga fshati Malasenj i Cërrikut në atë kohë po tentonin të kalonin rrugën. Ata kanë menduar se mund ta kapërcejnë në kohë aksin, por parashikimi ishte i gabuar. Mjeti urban, i drejtuar nga Ali Haka ka përplasur fuqishëm burrë e grua, duke i plagosur rëndë ata. Frenimi i fortë ka bërë që thuajse të gjithë nxënësit të përplaseshin brenda autobusit, por pa lëndime. Nga të dhënat në vendngjarje mësohet se disa prej tyre kanë pësuar gjendje të fikëti. Duket se pamja e për-gjakshme shkaktuar nga aksidenti ka provokuar dhe shqetësimet e nxënësve. Me shpejtësi një makinë ka bërë transportimin e çiftit Kullolli drejt urgjencës së spitalit kirurgjik të Elbasanit. Sipas mjekëve, në gjendje më të rëndë shëndetësore ndodhej 48-vjeçarja Sabrije Kullolli, e cila me autoambulancë është dërguar menjëherë për në spitalin ushtarak në Tiranë. Por gjatë rrugës, plagët e shumta të marra në trup dhe kokë i kanë sjellë vdekjen. Policia e Elbasanit ka shoqëruar drejtuesin e autobusit dhe e ka ndaluar atë deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit. Për shkak të këtij aksidenti, rruga e Metalurgjikut është bllokuar për rreth 1 orë e gjysmë, deri në përfundim të veprimeve hetimore, duke shkaktuar trafik. Nxënësit e gjimnazit, pasi e kanë marrë veten, janë larguar me një mjet tjetër, për të vazhduar itenerarin e përcaktuar më parë nga shkolla.