E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka-Kasmi-Nuri, konfirmohen "kokat" e qeverisë së FSHF-së



është zhvilluar dje mbledhja e parë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, e zgjedhur në asamblenë zgjedhore të 9 marsit. Në tryezën e punës për diskutim e miratim kanë qenë dy zëvendësit e presidentit Duka. Emrat e të cilëve, të rikonfirmuar në postet përkatëse, janë Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri. Të dy këta të fundit, edhe në mandatin e shkuar 4-vjeçar kanë qenë zv/presidentë të FSHF-së, çka tregon se drejtimi i këtij institucioni nuk ndryshon. Në fakt, emrat e Kasmit dhe të Nurit, bashkë me atë të Pjerin Fushajt, janë hedhur për votim të fshehtë ndër 11 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ku fitues kanë dalë dy të parët. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së përbëhet nga 7 anëtarë që ishin edhe në 4-vjeçarin e kaluar, si edhe 4 anëtarë të rinj, që janë Pjerin Fushaj, Abdyl Kuriu, Artan Hajdari dhe Alfred Zijai. Vendi më i rëndësishëm në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas atij të presidentit, mbetet ai i sekretarit të përgjithshëm. Këtë detyrë e mbante Eduard Prodani, i afruar në fillim të verës në këtë detyrë pas dorëheqjes së Arben Bicit. Sipas statutit të federatës, Sekretarin e Përgjithshëm e propozon presidenti (Armand Duka). Në mbledhjen e djeshme të KE-së është rikonfirmuar Eduard Prodani, që muajt para asamblesë i kanë mjaftuar për t'u familjarizuar me ambientin sportiv. Sekretari i përgjithshëm me rregullore propozon emrat për vendet më të rëndësishme në federatë, siç është sektori i garave etj. Ndërkohë, në mbledhjen e ardhshme pritet të vendoset më hollësisht përsa u përket posteve në administratë. Presidenti Duka premtoi një reformim të saj përpara zgjedhjeve, megjithatë ndryshimet pritet të jenë jo shumë të mëdha. Ndryshimet kryesore lidhen me sektorin e arbitrave, duke parë problemet e mëdha me gjykimin javë pas jave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›