Abramoviç kërkon Kaka, Torres dhe Shnajder për Champions-in
Triumfi në Champions League është shndërruar në fiksimin e Roman Abramoviç. Sipas tabloidit, “News of the World”, pronari i çelsit kërkon të realizojë blerjet e tre emrave të mëdhenj në merkaton e verës. Manjati rus duket i gatshëm të shpenzojë rreth 60 milionë euro (50 milionë sterlina) për të siguruar shërbimet e Kaka, Fernando Torres dhe të Uesli Shnajder. Në këtë mënyrë, ai do t’i krijojë trajnerit Karlo Ançeloti që të sjellë në “Stemford Brixh” trofeun më të rëndësishëm për klube në Europë. Në fazë më të avancuar janë negociatat për Kaka: për të marrë brazilianin në Londër, blutë janë të gatshëm të përfshijnë në marrëveshje Ashli Kol dhe Didië Drogbanë, dy lojtarë që Zhoze Murinjo do t’i afronte me qejf në radhët e Realit të Madridit. Megjithatë, largimi i Drogbasë lidhet edhe me faktin sesa hapësira do të lejojë Liverpuli për shitjen e spanjollit Fernando Torres. Interesimi për Shnajder, një prej lojtarëve kyç të Interit në Champions, lidhet me dyshimet që ekzistojnë për të ardhmet e Mikael Balak dhe Xho Kol.
#