E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abramowitz: Kosovarët s’janë të organizuar mirë

"Nuk kanë bërë sa duhet për njohjen e Kosovës. Ata nuk kanë lëvizur për të mundësuar njohjen e shtetit të Kosovës veçanërisht në vendet islamike", - thotë në intervistë për radion Evropa e Lirë ish-diplomati amerikan, Morton Abramowitz.

Ambasador Abramowitz, duke njohur karrierën e të dy kandidatëve presidencialë amerikanë, cila është qasja e tyre ndaj Ballkanit dhe Kosovës, si një ndër elementet kyçe në rajon?

Nuk shoh ndonjë dallim të madh në mes të dy kandidatëve sa i përket çështjes së Kosovës. Të dy kanë qenë mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ndërkaq, John McCain ka qenë edhe më herët i përfshirë në rajon; ai ka qenë mbështetës i boshnjakëve gjatë luftës së viteve '90. Të dy kandidatët kanë folur për nevojën që të ruhet dhe të zhvillohet Kosova e pavarur dhe u kanë bërë thirrje serbëve që ta pranojnë zgjidhjen. Nuk mendoj se ka ndonjë problem në qëndrimet e dy kandidatëve.

Ç'mund të na thoni për qëndrimet e senatorëve McCain dhe Obama rreth Rusisë?

Mendimi im është se të dy kandidatët janë shumë të shqetësuar me sjelljet e Rusisë gjatë vitit të fundit. Ata të dy janë të shqetësuar me rritjen e nivelit të autoritarizmit në Rusi.

Por, nuk mund të jap një përgjigje të thelluar, pasi nuk i kam ndjekur të gjitha deklaratat e tyre në këtë çështje.

Kosova ka pasur njohje shumë cilësore të pavarësisë, por jo edhe sasiore. Madje, së fundi, është vënë re një lloj ndërprerjeje në procesin e njohjeve. Si diplomat me përvojë, si do ta vlerësonit procesin e njohjes së Kosovës dhe cilat janë gabimet që duhet t'i mënjanojnë kosovarët?

Mendoj se Perëndimi ka punuar shumë keq lidhur me procesin e njohjes së Kosovës. Ata nuk kanë punuar sa duhet, pasi besoj se njohjet e mëtejshme vareshin më shumë nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Ky është një problem.

Problemi i dytë është se kosovarët nuk janë të organizuar mirë dhe nuk kanë bërë sa duhet për njohjen e Kosovës. Ata nuk kanë lëvizur për të mundësuar njohjen e shtetit të Kosovës, veçanërisht në vendet islamike. Është e habitshme për mua se si aq shumë vende islamike nuk i kanë mbështetur kosovarët.

Fakti se qeveria serbe mund të arrijë të marrë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së rezolutën ku i kërkohet Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të vendosur mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është një ngjarje shumë e pakëndshme. Kjo tregon se sa të papërshtatshme kanë qenë përpjekjet për të siguruar njohjen e shtetit të Kosovës.

Sipas jush, cilat janë gjasat që Asambleja e Përgjithshme në takimin e shtatorit ta miratojë një rezolutë të tillë?

Nuk jam i sigurt, por e kam parë që ministri i Jashtëm serb ka qenë shumë aktiv në takimin e vendeve të paangazhuara. Ka gjasa, ndonëse nuk jam plotësisht i sigurt, se qeveria e Indisë po lëviz në drejtimin e Serbisë, duke e vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe ky është një problem shumë serioz. Mendoj se kjo ka të bëjë me paaftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Nëse një rezolutë e tillë miratohet në Asamblenë e Përgjithshme, atëherë kjo është në një shkallë të madhe rezultat i dështimit të SHBA-ve dhe BE-së për të siguruar një njohje më të gjerë.

Udhëheqësit e Kosovës duhet ta drejtojnë shtetin e ri në prani të një numri organizatash ndërkombëtare, si UNMIK-u, BE-ja, Zyra Civile Ndërkombëtare e me radhë. A besoni se qeveria e Kosovës ka maturinë e nevojshme që të qeverisë shtetin e ri në kushtet e një pranie të tillë dhe njëherësh të respektojë Kushtetutën?

Mendoj se qeveria e Kosovës përballet me një problem të madh dhe ky ka të bëjë me vështirësitë që kanë dalë në përcaktimin e roleve të UNMIK-ut dhe BE-së. Ky proces po ecën shumë ngadalë dhe po shoqërohet me mundësinë e jo pak pasojave dhe kufizimeve ligjore në Nju Jork. Kjo lidhet dhe me mungesën e njohjeve nga shumë më tepër vende. Shumëçka në përcaktimin e pranisë së UNMIK-ut dhe në përfshirjen e misionit evropian në Kosovë varet nga fakti se sa i vendosur dhe aktiv është Bashkimi Evropian në qëllimin që Kosova të jetë e suksesshme si shtet. Kjo ende nuk është bërë dhe përfaqëson një çështje të vështirë për qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës është përpjekur të jetë konstruktive, nuk ka dashur të krijojë vështirësi dhe po pret me durim që këto probleme të zgjidhen. Sa i përket pyetjes se sa efikase do jetë qeveria e Kosovës, kjo mbetet për t’u parë. Le të shpresojmë që do të jetë e suksesshme, që do t'i japë dinamizëm veçanërisht ekonomisë kosovare. Por, ka disa komplikime të rënda në rrugën drejt krijimit të një shteti të qëndrueshëm dhe funksional dhe rolit të bashkësisë ndërkombëtare në këtë shtet. Kjo mbetet për t’u zgjidhur.

Ndërhyrja e UNMIK-ut në Mitrovicë, raport në Këshillin e Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u njoftua dje mbi gjetjet e një raporti të hetuesve të organizatës, rreth ndërhyrjes së policisë së UNMIK-ut dhe të forcave paqeruajtëse, KFOR, në Gjykatën Komunale në veri të Mitrovicës. Hetues ndërkombëtarë kanë paraqitur raportin mbi aksionin e forcave ndërkombëtare në veri të Kosovës më 17 mars, duke kritikuar udhëheqjen e UNMIK-ut për, siç thuhet, autorizim të dhunës së panevojshme gjatë ndërhyrjes në ndërtesën e gjykatës. Por ata kanë bërë me dije se veprimi i forcave ndërkombëtare ishte në kuadër të mandatit të tyre. Një polic ndërkombëtar nga Ukraina u vra dhe dhjetëra policë e qytetarë serbë u lënduan pas përplasjes së forcave të policisë ndërkombëtare dhe banorëve serbë në veri të Mitrovicës. Autoritetet ndërkombëtare vendosën që të marrin kontrollin në Gjykatën Komunale në veri, më 17 mars, një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke larguar nga ndërtesa protestuesit serbë që mbajtën një grevë disajavëshe në gjykatë. Protestuesit thanë se ishin punonjës të gjykatës që u larguan nga puna pas hyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Një numër grevistësh serbë u arrestuan kurse forcat policore dhe autoritetet e UNMIK-ut u larguan nga veriu pas aksionit, duke e vënë këtë pjesë të Kosovës nën kontroll të forcave të KFOR-it.

Raporti i hetuesve të OKB-së për arsyeshmërinë e ndërhyrjes në gjykatë iu dorëzua anëtarëve të KS-së të OKB-së javën e kaluar dhe dallimet ndërmjet anëtarëve të vendeve perëndimore dhe të Rusisë, rreth aksionit të forcave paqeruajtëse, u thelluan edhe më shumë. Përfaqësuesi rus në KS dhe zyrtarët serbë bënë përgjegjës për veprimin, siç thanë, të pamatur të policisë, dy drejtuesit e atëhershëm të UNMIK-ut, Joackim Ruecker dhe Larry Rosin. Ky i fundit u akuzua se ka shfrytëzuar momentin për të përdorur dhunë të panevojshme mbi grevistët serbë duke mos respektuar instruksionet e Nju Jorkut.

Por përfaqësuesit e vendeve perëndimore në KS thanë se forcat paqeruajtëse dhe policia ndërkombëtare kanë vepruar në kuadër të mandatit të tyre. Veriu i Kosovës u shndërrua në skenë të dhunës pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të këtij viti. Serbët e Kosovës e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe vetëm dy ditë pas shpalljes dogjën dy posta kufitare në veri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›