E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama, me dy standarde

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj të kreut të bashkisë Edi Rama, se kopshti botanik e klubi “Dinamo” nuk janë, sipas deklarimeve të tij, pjesë të betonizimit tek liqeni. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se “nuk është faji ynë që Edi Rama ka lindur gënjeshtar, por është detyra jonë të mbrojmë Tiranën nga babëzia konsensuale Rama-Berisha, që synon betonizimin përfundimtar të qytetit për hir të fitimeve marramendëse”. Ai bëri të ditur se LSI-ja mbështet pronarët dhe ish-pronarët dhe kërkon vetëm e vetëm zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. “LSI-ja është e papajtueshme dhe do të denoncojë vazhdimisht në të gjitha nivelet e shtetit dhe shoqërisë shqiptare dy standardet e Ramës, i cili qindra e qindra pronarëve e ish-pronarëve në Tiranë, u dhunon pronat dhe i nxjerr në rrugë të madhe, pavarësisht nga tapitë që të kohës së Mbretërisë së Mbretit Zog, që ata disponojnë dhe në anën tjetër, disa prona të tjera vihen për shfrytëzim në shkelje flagrante të ligjeve në fuqi”, - tha Petrit Vasili. Njëkohësisht, ai vuri në dukje se me urdhër të Ramës, këshilltarët e tij braktisin dhe pengojnë funksionimin e Këshillit Bashkiak, duke bllokuar në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore zbatimin e vendimeve të gjykatave qe u hapin rrugë pronarëve që të zotërojnë ligjërisht pronat e tyre si sipërfaqe qesharake nga 50 deri në 100 m2 në një kohë që Rama dhe Berisha, duke shkelur ligjin, japin qindra mijëra metra katrore mjedise publike të mbrojtura me ligj

“Mjaft” i kërkon falje Petrit Vargut

Reagimi i anëtarit të LSI-së në Këshillin Bashkiak ka detyruar organizatën “Mjaft” të kërkojë falje për njërën nga çështjet e ankimit të Petrit Vargut. Në një njoftim, “Mjaft” ka kërkuar falje për një gabim teknik për sa i takon listës së anëtarëve më aktiv në diskutimet e Këshillit Bashkiak, “si pasojë e një problemi teknik që kemi hasur në përpunimin e të dhënave të marra nga monitorimi. Për këtë arsye i kërkojmë ndjesë z. Vargu për mospërfshirjen e tij, gabimisht, në listën e anëtarëve më aktivë në diskutimet e zhvilluara në Këshill”, - thuhet në njoftim.

Ndërkohë, organizata “Mjaft” ka qenë e vendosur në faktin se anëtari i LSI-së ka munguar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës më shumë se tri herë, siç ka deklaruar ai. “Sipas të dhënave tona, ballafaquar me ato të arkivuara në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Vargu, ndryshe nga ç’pretendon, nuk ka munguar tre, por pesë herë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, konkretisht në datat 30.07.2007, 30.11.2007, 27.12.2007, 06.12.200,7 24.01.2008, data në të cilat janë diskutuar dhe miratuar 23 projektvendime. Pra, Vargu nuk ka qenë i pranishëm në miratimin e 23 nga 78 nisma të kaluara në Këshillin Bashkiak të Tiranës për periudhën mars 2007-prill 2008, ashtu siç është pasqyruar dhe në raportin për monitorimin e Këshillit Bashkiak Tiranë”, - sqaroi “Mjaft”.

Dy ditë më parë, Vargu kërkoi që t’i kërkohej falje publike, në të kundërt ai do të bënte padi ndaj saj duke kërkuar një dëmshpërblim deri në dhjetë milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›