E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me “pushime” në bashki

Kreu i PS-së Edi Rama ka lënë partinë në muajin e pushimeve dhe është kthyer në bashki, ku dhe ka zyrën si kryebashkiak i zgjedhur nga qytetarët e Tiranës në shkurt të 2007-ës. Ndërkohë që selia rozë ka vendosur të pushojë politikisht, kreu i saj ka vendosur që pushimet e tij t’i kalojë duke kompensuar kohën e humbur si kryebashkiak. Ndërkaq këtë verë duket se socialistët kanë nxituar të pushojnë. Nuk kanë humbur asnjë ditë, por që në 1 gusht që ua lejon Parlamenti, deputetët janë larguar drejt bregdetit shqiptar, por edhe jashtë, veç sa më larg Tiranës e në veçanti detyrimeve të partisë. Këtë vit edhe kryetari i partisë është treguar më i kuptueshëm duke i lënë të lirë, pa ndonjë detyrim për t’u kthyer para shtatorit në seli, ndoshta si një pushim i gjatë për 2008-ën për të kompensuar verën e lodhshme të 2009-ës kur do të zhvillohen dhe zgjedhjet. Që prej 1 gushtit partisë i mungojnë zyrtarët e saj, deputetët deri edhe militantët. Zor se mund të gjesh ndonjë figurë të njohur të saj gjatë gjithë paradites kur është edhe kulmi i punës. Zyrat thuajse janë të gjitha të mbyllura, përveç zyrës së shtypit dhe marrëdhënieve me publikun që është në funksion të plotë. Që prej 1 gushtit partisë i kanë munguar edhe komunikimet me mediat, kjo sepse zërat më aktivë të saj si Erion Braçe apo Valentina Leskaj, i kanë nisur pushimet. I vetmi që thyen herë pas herë heshtjen është kryetari, që bashkë me rolin e kryetarit të bashkisë bën edhe rolin e kryetarit të partisë duke replikuar me Kryeministrin për shkollat e kryeqytetit. Të tjerët? Asgjë, heshtje e plotë. Vitin që shkoi PS-ja tregoi një kujdes të veçantë që gjatë gjithë muajit gusht, kohë kur të gjithë pushojnë, të kishte komunikim me mediat e si e tillë, edhe me publikun. Me radhë, sekretarët e partisë komunikuan me publikun duke dhënë ide dhe duke akuzuar qeverinë. E kundërta ndodh këtë muaj gushti. “Opozita e butë”, siç e quan Erion Braçe, numri dy i grupit kuvendor, është zbutur fare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›