Legalizimet, verifikohen një e treta e ndërtimeve në Tiranë
Grupet e punës në terren të Agjencisë së Legalizimeve kanë arritur që në Tiranë të verifikojnë një të tretën e të gjitha ndërtimeve pa leje. Nënkryetari i ALUIZNI-t të Tiranës, Ndre Berisha, bëri të ditur se mbi 50 grupe me nga tre specialistë punojnë çdo ditë për të bërë verifikimet. Ai shtoi se mbas gjysmës së dytë të shtatorit, do të ketë një rezultat më konkret në lidhje me përfundimin e verifikimit të ndërtimeve informate. “Jemi në fazën e përpunimit të të dhënave në terren. Megjithëse me ndryshimin e ligjit, është parashikuar që njësitë vendore në periudhën 60-ditore të paraqesin të dhënat për të gjitha objektet, që i bie rreth datës 16 shtator. Në terren ndodhen 50 grupe me nga tre vetë që bëjnë verifikimet”, - tha Berisha. Ndërkohë, qeveria miratoi dje edhe tarifat shtesë që do të vendosen për legalizimin. Qytetarët do të paguajë vetëm nga 4 mijë lekë të reja për të gjithë dokumentacionin. “Një tarifë që do të paguajë qytetari për shërbimin që do të do të jetë 4 mijë lekë. Praktikisht, po t’i drejtohej tregut, qytetari do të paguante 80 mijë deri në 100 mijë të vjetra, për të përgatitur të gjithin dokumentacionin. Për të eliminuar korrupsionin dhe për të eliminuar deformimin, kemi vendosur që dokumentacionin do ta bëjmë ne. Ne do të bëjmë gjithë punën në mënyrë që të garantojmë suksesin e reformës”, - tha kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia.
Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesë së tarifës së shërbimit, proces, i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilëve janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Taksa do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave, ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sipas amendimeve të ligjit të legalizimeve të miratuara në Kuvend, Këshilli i Ministrave miraton brenda një afati prej 30 ditësh të gjitha listat e ndërtimeve informale.
Sipas parashikimeve, brenda muajit gusht pritet që Agjencia e Legalizimeve të përpilojë të gjithë listën e ish-pronarëve, ku në tokën dhe truallin e tyre është ndërtuar pa leje. Të dhënat paraprake tregojnë se një e treta e ndërtimeve pa leje janë mbi tokë private të personave të tretë, ndërsa pjesa tjetër janë mbi tokë shtetërore si dhe mbi tokë private. Aktualisht, numërohen mbi 200 mijë ndërtime informale të deklaruara, nga të cilat rreth 80 mijë janë ndërtuar mbi truallin e personave të tretë, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Hartimi i kësaj liste, që parashikohet të jetë rreth 80 mijë ish-pronarë, do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Më pas, qeveria brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, do të miratojë listën duka ia kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të dëmshpërblejë brenda këtij viti të gjithë këta ish-pronarë.
Rreth 80 mijë ish-pronarë pritet të dëmshpërblehen nga procesi i legalizimit
Brenda këtij viti parashikohet që të dëmshpërblehen rreth 80 mijë ish-pronarë, të cilëve u është marrë toka për ndërtime informale. Agjencia e Legalizimeve do të bëjë gati të gjithë listën e ish-pronarëve brenda muajit gusht, të cilën do ta miratojë qeveria dhe brenda një periudhe prej tre muajsh do të bëhet edhe dëmshpërblimi përkatës. Kuvendi miratoi rreth një muaj më parë edhe ndryshimet ligjore për sa i përket legalizimit të ndërtimeve informale. Këto ndryshime prekën edhe afatin, për sa i përket mënyrës së dëmshpërblimit të ish-pronarëve, e kërkuar me ngulm nga Partia Republikane.
Nis verifikimi i ndërtimeve informale në bregdet
Miratimi i planit të zhvillimit të zonave bregdetare ka bërë të mundur që Agjencia e Legalizimeve të nisë në terren verifikimin e të gjitha objekteve dhe ndërtimeve informale në këto zona. Sipas parashikimeve paraprake si dhe sipas ligjit, ndërtimeve informale në zonën e bregdetit do t’u përcaktohet fati në muajt e vjeshtës. Sipas ligjit, është përcaktuar që legalizimi i ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të këtyre zonave. Qeveria ka përcaktuar se brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi të këtyre ndryshimeve, do të nxjerrë akte nënligjore që do të përcaktojnë edhe fatin e këtyre ndërtimeve.
Në shtator, 200 mijë lejet e para
Legalizimi i ndërtimeve, pas miratimit të ndryshimeve ligjore që bëri Kuvendi, është në një fazë të re procedurash, duke bërë të mundur që në muajin shtator të fillojë dhënia e lejeve të legalizimit të mbi 200 mijë ndërtimeve informale. Agjencia e Legalizimeve tashmë ka gati rreth 200 mijë ndërtime informale që janë të plotësuara me dokumentacionin tekniko-ligjor dhe që po verifikohen në terren nga punonjësit e ALUIZNI-t. Ndryshimet ligjore kanë përcaktuar edhe hapat e procesit. Tashmë pushteti lokal përfundoi afatin e tij prej një muaji, ku bëri verifikimet përkatëse, dhe tashmë situatën e ka marrë në dorë vetë ALUIZNI.
Afrimi me BE-në, Shqipërisë i kërkohen detyra të reja
Përfundimi i disa reformave dhe arritjeve të Shqipërisë u kanë hapur rrugë disa detyrimeve të tjera të reja për t’u përmbushur. Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Integrimit, ku bëri një shqyrtim të të gjithë problematikës, kërkesave dhe realizimeve në prag të raportit të dytë pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Berisha tha se është pikërisht realizimi i këtyre detyrave, që e bën demokracinë më funksionuese, duke i afruar shqiptarët gjithnjë e më tepër me standardet evropiane. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se sa më shumë i afrohemi në rrugën tonë BE-së, aq më të mëdha bëhen kërkesat, aq më i domosdoshëm bëhet konsolidimi i standardeve të arritura, përpjekja për të arritur standarde të reja. Janë këto detyra dhe realizmi i tyre të cilat e bëjnë demokracinë më funksionuese, ekonominë e tregut me funksionuese dhe afrojnë shqiptarët me standardet evropiane”. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që nga kjo mbledhje, ministritë dhe të gjitha agjencitë përkatëse në varësi të tyre të marrin detyrat, materialin dhe të mbledhin grupet e punës për të përcaktuar realizimin me përpikëri të tyre.
PDK-ja kritikon qeverinë: Më shumë punë për reformat
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokristiane, Ndue Shpani, deklaroi dje se procesi i reformave duhet të jetë më i shpejtë. Në një konferencë për shtyp, Shpani tha se vonesat do të jenë të dëmshme. Ai shtoi se politika shqiptare ka pasur hezitime në realizimin e shumë detyrimeve të vendit, siç ishte dënimi i krimeve të komunizmit. “PDK-ja gjykon se vonesa në kryerjen e reformave kryesore në vend dëmton rëndë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, që janë angazhimi ynë kryesor. Gjithashtu, ne gjykojmë se hezitimi për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të pastruar politikën dhe institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar nga eksponentët e diktaturës dhe ish-bashkëpunëtorët e policisë sekrete komuniste shpreh shkallën e implikimit të segmenteve të caktuara të politikës dhe të superstrukturës shtetërore me të shkuarën dhe përbën pengesën kryesore për funksionimin normal të shtetit dhe të demokracisë në Shqipëri”, - tha Shpani.