Alibali: PR-ja drejt bashkimit me PD-në
Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, deklaroi dje se nuk ka asnjë arsye përse kjo parti të dalë e vetme në zgjedhjet e 2009-ës. Alibali u shpreh se gjatë periudhës së qeverisjes mosmarrëveshjet mes partive të djathta janë sheshuar dhe si e tillë PR-ja nuk sheh asnjë arsye që të mos bashkëpunojë me Partinë Demokratike. “Gjatë periudhës që kemi qenë në pushtet, janë shuar edhe mosmarrëveshjet që kanë qenë brenda kampit të djathtë dhe kështu domosdoshmërisht është kthyer në një bashkëpunim mes Partisë Republikane me Partinë Demokratike”, - tha Alibali. Nga ana tjetër, ai vlerësoi bashkëpunimin me forcat e tjera të djathta, një arsye kjo që sipas Alibalit, duhet të dalë me një koalicion në zgjedhje. “Bashkëpunimi ka qenë edhe me partitë e tjera të skeptrit të djathtë dhe mendoj se në zgjedhjet e ardhshme nuk ka pse të mos jemi në një koalicion”, - deklaroi ai. Erëra të mbara po fryjnë brenda së djathtës. Ndërsa duhet edhe një vit nga zgjedhjet e përgjithshme, e ajo duket unike, ndërsa në horizont shihet shkrirja e Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike. Vetëm para dy ditësh, nënkryetari i PDR-së tha se kjo parti po bëhet gati të bashkohet me PD-në. “Ne jemi të hapur realisht për të gjetur forma të reja bashkëpunimi me PD-në, gjithmonë e më të ngushta, përfshi këtu dhe një bashkim të plotë të të dyja forcave tona politike”, - tha Shehu. Ai nënvizoi se periudha që këto forca kanë qenë në koalicion qeverisës, ka pasur një afrim më të madh mes këtyre forcave politike. “Në këto periudha të qeverisjes së përbashkët dhe të një koalicioni me PD-në, gjithmonë e më tepër ka një afrim dhe sinkronizim të programeve, formave të organizimit dhe bashkërendimit të luftës politike. Tashmë ky vullnet ekziston edhe nga PD-ja dhe u mbetet atyre ta konfirmojnë këtë gjë. Janë të gjitha hapësirat drejt një afrimi akoma më të madh mes PDR-së dhe PD-së, tashmë që diferencat mes nesh realisht nuk ekzistojnë dhe kur qëllimet tona për të ardhmen janë të njëjta”, - tha Shehu. Në lidhje më këtë çështje, për sa i përket unifikimit të së djathtës brenda një federate apo konfederate, janë prononcuar edhe krerë të tjera partish të djathta. Nard Ndoka, kreu i PDK-së, edhe pse u largua si ministër nga qeveria “Berisha”, ka mirëpritur unifikimin e së djathtës në një nga këto forma. Nga ana tjetër, edhe PD-ja është e hapur për të gjitha format e bashkëpunimit me aleatët e saj për të shkuar në zgjedhje si koalicion dhe për t’i fituar ato. “Modalitetet e këtij bashkëpunimi ende nuk janë trajtuar, ende nuk janë shqyrtuar. Pra, modalitetet mund të jenë që nga shkrirja në një bllok, ashtu dhe ekzistenca e dy a më shumë blloqeve brenda koalicionit”, - ka thënë në media nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.