E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzim me 10 miliardë lekë, 4 vjet burg administratori i sheikut

23/12/2009  Vendimi i gjykatës: Burg, gjobë dhe pezullim për administratorin e Yasin Kadi
TIRANË- Gjykata për Krime të Rënda i ka dhënë fund dje shqyrtimit gjyqësor për të pandehurin Hamzeh Abu Rayan, administrator i shoqërisë së drejtuar nga Yasin Kadi. Ndryshe nga akuza, gjykata ka qenë më e butë në vendimin e saj. Dje gjykata vendosi ta dënoi shtetasin Arab me 4 vjet burg, 6 milion lekë gjobë dhe 3 vjet pezullim nga detyra si administrator. Gjykata e ka deklaruar fajtor të pandehurin, por ndryshe nga Prokuroria është treguar më e butë në dhënien e vendimit duke i lexuar edhe disa masa lehtësuese. Gjykata uli dënimin dhe i shtoi Hamzeh Abu Rayan 1 milion lekë gjobë. I pandehuri sipas gjykatës akuzohet për veprën penale të fshehjes së të ardhurave, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit. Gjykata tha dje gjatë vendimit se ishte dakord me akuzën në një pikë që është rënia e akuzës së financimit të terrorizmit. I pandehuri akuzohet se ka administruar rreth 19 objekte pronë e Yasin Kadi. Paratë e këtyre objekteve kanë vjelë nga administratori në një kohë që ato ishin të sekuestruara për llogari të shtetit. Në përfundim të hetimit gjyqësor, sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, rezulton se administratori Abu Rayan ka kryer vetëm veprën penale të "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin", -të parashikuar në nenin 230 b/1 të Kodit Penal. "Hetimet njëvjeçare ndaj administratorit Hamzeh Abu Rayan të shoqërisë "Loxhall" sh.p.k me pronar Yasin Al-Qadi, i cili ndodhet që nga data 17 tetor në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si i dyshuar për financimin e terrorizmit nuk gjetën prova për akuzën",-thuhet në vendim e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rayan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit vazhdon të ushtrojë aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme. Sipas hetimit, rezultojnë se vetëm në kryeqytet shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira, ku të gjitha pagesat për këto aktivitete janë kryer kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Në përfundim të hetimeve, personi nën hetim Hamzeh Abu Rayan u akuzua për "fshehjen e fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin", pasi ka rezultuar se me dashje ka fshehur dhe tjetërsuar në mënyra të ndryshme shumën mbi 10 milionë lekë të reja, shumë e cila sipas akt-ekspertimit kontabël, duhej të ishte në arkën e shoqërisë "Loxhall".
Mbrojtja, Rayan i pafajshëm ashtu si Kadi
Pothuaj në të gjitha seancat gjyqësore mbrojtja e të pandehurit Hamzeh Abu Rayan e përfaqësuar nga avokati Sajmir Visha i është përmbajtur një pike të vetme. Visha është shprehur se akuza ashtu edhe gjykata duhet ta mbyllin këtë çështje, pasi ndaj klientit që ai përfaqëson nuk ka edhe një akuzë të vetme. Sipas tij, ashtu si shumë gjykata të shteteve të ndryshme kanë hedhur poshtë akuzat kundër Yasin Kadi, ashtu duhet të veprojë edhe gjykata jonë. Më tej Visha është shprehur se Yasin Kadi nuk është person që ka financuar terrorizmin dhe për këtë arsye të gjitha pronat që ai ka në vendin tonë të sekuestruara duhet të çlirohen po me vendim gjykate.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›