E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit, tentoi të përdhunojë 15-vjeçaren

23/12/2009  Ngjarja në një lokal në Kavajë. Ç. S, prangoset nga kolegët e tij të SHKB-së
KAVAJE- Një 15-vjeçare nga qyteti i Kavajës ka rënë preh e dhunës seksuale, pasi një punonjës policie ka tentuar ta përdhunojë atë në ambientet e një lokali, që ndodhet në Kavajë. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur rreth orës 16:30, kur punonjësi i policisë me inicialet Ç. S. nga Skrapari, por banues në Tiranë ka kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e 15-vjeçares. Ky gjest i turpshëm i ka kushtuar shtrenjtë policit, pasi menjëherë pas kallëzimit të të dëmtuarës ai është prangosur nga kolegët e tij, duke u akuzuar për veprën penale të “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë më të mitur të moshës 14 – 18 vjeç”. Burime pranë komisariatit të Kavajës thanë se efektivi i komisariatit të Kavajës së bashku me minorenin ishin duke festuar në ambientet e një lokali. Mirëpo gjatë orëve të festës, 42-vjeçari ka shfaqur simpati ndaj minorenes, të cilën mësohet se e ka ngacmuar herë pas here seksualisht. E ndodhur në këto kushte, vajza e dëmtuar ka tentuar t’i shmangej, efektivit me inicialet Ç. S, por përsëri ky i fundit vazhdonte t’i vardisej nga prapa. Pasi ka shfrytëzuar mungesën e njerëzve në lokal, punonjësi i policisë është hedhur në sulm, duke tentuar ta përdhunojë me dhunë 15-vjeçaren. Gjestit të pamoralshëm të tij, nuk i është përgjigjur pozitivisht e mitura, e cila edhe pse ndodhej nën trysninë psikologjike, nuk ka pranuar të kryejë marrëdhënie seksuale. Ajo ka mundur të largohet nga lokali dhe menjëherë i është drejtuar komisariatit të Kavajës. Vajza ka denoncuar 42-vjeçarin, i cili vetëm pak orë më pas u përball me kolegët e tij, të cilët i komunikuan akuzën. Vetë protagonisti i këtij krimi ka mohuar të ketë lidhje me 15-vjeçaren, por efektivat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm këmbëngulën se ai ka konsumuar plotësisht veprën penale të “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 – 18 vjeç”. Aktualisht materialet hetimore në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Kavajës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›