Abuzim me taksat, 10 pronarë në hetim
DURRES/ OERD ULQINI
Bie “tërmet” në sistemin fiskal të Durrësit. Policia e qytetit bregdetar vë në ndjekje penale 10 administratorë shoqërish private, pasi i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 500 mijë eurosh. Mohimi dhe neglizhenca në pagesën e detyrimeve tatimore ka bërë që pronarët e firmave të mëdha të regjistruara në Durrës, kryesisht ndërtimi dhe import-eksportesh çuan deri në nisjen e procedimit penal. Bëhet fjalë për biznese të mëdha e të mesme, të cilat së bashku punësojnë mbi 550 punëtorë, saktësuan burimet. “Seksioni i Luftës kundër Krimit Ekonomiko–Financiar, në zbatim të detyrave të planit të masave të datës 13 mars 2009, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale për krime në fushën e kontrabandës dhe tatim-taksave, ka filluar procedimin në gjendje të lirë të shtetasve, pronarë të këtyre subjekteve”, deklarohet nga burime zyrtare të policisë së Durrësit. Ajo nuk zbardh dëmin që i është shkaktuar shtetit nga ky evazion fiskal, ndonëse sipas burimeve ai e kalon shifrën e 500 mijë eurove. Ndonëse edhe më parë këto 10 subjekte janë gjobitur për kundërvajtjen në fushën fiskale, ato masa administrative nuk janë shlyer kurrë financiarisht nga pronarët. Për të detyruar pagesën e gjobave policia hartoi më 13 mars një plan masash, i cili duhej të shtrëngonte pronarët të paguanin në arkën e shtetit. Veprimi i fundit që parashikonte ky plan ishte denoncimi në organet e drejtësisë. Ky fakt e ka detyruar policinë të kryejë në emër të 10 tregtarëve të mëdhenj durrsakë denoncimin në Prokurori. Vepra penale në ngarkim të tyre është “mospagimi i taksave dhe i tatimeve” parashikuar nga neni 181 i K.Penal. Mësohet se shmangiet tatimore kanë nisur prej vitit 2002, e prej asaj kohe mospagesa e më pas dhe kamatat shtuan vlerën e borxhit karshi shtetit. Prej burimeve zyrtare të policisë bëhen të ditur se janë në proces penal administratorët e këtyre shoqërive tregtare: “PLAVA”, “ALMOND”, “PUNETORI”, “E.D.I .KONSTRUKSION”, “ADNAIN”, “ADRIA TRANS”, “EURO AL”, “ENVER BALLA SH.P.K”, “EURO BETON” dhe “GJEMA”. Pritet që pas nisjes së procedimit penal të mund të realizohet dhe derdhja e vlerës së mbetur karshi shtetit.
Arrestohen dy turq të Kurum, vodhën 150 mijë euro
ELBASAN - Arrestohet inxhinieri dhe një tjetër punonjës i Kurum Internacional, pasi kanë vjedhur me anë të mashtrimit firmën turke, me një shumë prej 150 mijë euro. Sipas policisë, dy shtetasit turq akuzohen për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve e kryer në bashkëpunim, mashtrim i kryer në bashkëpunim si edhe korrupsion pasiv në sektorin privat. Të arrestuarit janë Murat Mehmet Gunderdi, 31 vjeç, me detyrë inxhinier pranë firmës turke si dhe Mustafa Turgul 45 vjeç. Ndaj tyre kishte kryer një kallëzim administratori i Shoqërisë Kurum Internacional, Koray Izytonoglu. Dyshohet se 31 – vjeçari, duke qenë inxhinier pranë kësaj firme, në bashkëpunim edhe me Targul kanë paraqitur situacion të rremë që i përkasin muajit maj 2008 e në vazhdim. Ata kanë përfituar në këtë mënyrë një shumë afërsisht 150 mijë euro. Kjo shumë është përfituar nga sasitë e shitjes së hekurit pranë kësaj firme. Sipas policisë së Elbasanit, veç dy shtetasve turq të arrestuar tashmë, nën hetim janë edhe dy disa biznesmenë shqiptarë që merren me blerjen e skrapit, të cilët mësohet të kenë bashkëpunuar me Turqit për përvetësimin e sasive së hekurit. a.k