Rama në Kolonjë: Naftë pa akcizë për fshatin
Kryetari socialist Edi Rama, gjatë turit të tij për të prezantuar programin qeverisës është ndalur në Selenicë të Kolonjës, ku ka folur kryesisht për reformën në fshat. Rama ka premtuar se do të bëjë atë që kryeministri Berisha e premtoi në 2005-ën, por nuk e realizoi, naftën pa akcizë për fshatin. “Ka qenë një premtim i këtij kryeministri, i cili vërtet ka kurajon e një gënjeshtari të pashërueshëm që vazhdon të shkojë në fshat, vazhdon t’i premtojë fshatit, pasi ka shkelur premtimin bazë të vitit 2005 lidhur me naftën. Ndërkohë që unë sot, them me plot gojën, bazuar mbi dëgjimin shumë të vëmendshëm të njerëzve që jetojnë në fshat dhe në një analizë të ekspertëve tanë, se nafta për prodhimin në fshat do të jetë pa akcizë. Kjo sigurisht do ta ulë në mënyrë të menjëhershëm dhe të ndjeshme koston e prodhimit”, tha Rama. Kreu socialist duke folur dhe shpjeguar në detaje pjesë nga programi i ri qeverisës i socialistëve, u shpreh se çdo biznes i ri agrar do të jetë i përjashtuar nga tatim-fitimi për 3 vjetët e parë, kjo për të bërë të mundur lindjen e sa më shumë bizneseve të reja në fshat gjatë qeverisjes së socialistëve pas 28 qershorit. Kreu socialist është shprehur i gatshëm të ndryshojë raportet e qeverisjes me fshatin, duke e parë atë si një burim mirëqenieje për vendin. Me këtë koncept për fshatin, Edi Rama sqaroi se një nga pikat kryesore të programit të ri të PS-së do të jetë bujqësia dhe zhvillimi rural. Ai shpjegoi domosdoshmërinë e ngritjes së një dikasteri të veçantë për fshatin. “Ne do ta trajtojmë fshatin në mënyrë të posaçme, duke ngritur një ministri e cila do të jetë ministria e fshatit dhe do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural”, tha Rama.