Ndërmarrja urbane, 63 punonjës në panik për vendin e punës
BERAT - Parku urban në Berat është drejt privatizimit. Rreth 63 punëtorë të këtij sektori janë vënë në panik për shkak të ndonjë reforme të mundshme në momentin e privatizimit. Në prag të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje urbane, bashkia ka ngritur një komision për të parë nga afër gjendjen aktuale të të ardhurave ekonomike, si dhe gjendjen teknike të 13 urbanëve me një stazh pune 30-vjeçar. Pas mbërritjes së komisionit të bashkisë, 63 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje të profesioneve të ndryshme, si shoferë, mekanikë apo xhenerikë i ka zënë ankthi. Ata i kanë dërguar një peticion Kryetarit të Bashkisë Fadil Nasufi, duke i kërkuar të mos bëhej privatizimi. Por sipas burimeve, bashkia e ka bërë fakt të kryer këtë pasi janë bërë gati të gjitha dokumentacionet përkatëse. “Kemi ngritur një komision për të parë nga afër situatën në këtë ndërmarrje, e cila është në varësi të bashkisë. Po mendojmë për një komoditet për të ardhmen. Urbanët janë tejet të amortizuar”, u shpreh Nasufi. Sindikata e urbanëve paralajmëron grevë nëse nuk do të bien dakord dy palët, sindikata dhe bashkia. Sipas drejtuesve të sindikatës, janë 63 punëtorë, që në rast të privatizimit rrezikojnë të humbasin vendin e punës. Por nga ana e saj, bashkia pohon se autobusët janë shumë të amortizuar dhe duhet bërë ndërhyrje në mënyrë që t’u afrohet qytetarëve komoditet më shumë. Punonjësit u shprehën se janë shumë të frikësuar për vendin e tyre të punës, në rast se privati do të ndërmarrë reformë në këtë sektor. d.xh