Dobjani: Institucionet e ambasadat nuk njohin ende kartat e identitetit
TIRANE – Institucione të rëndësishme, mes të cilave ministri dhe ambasada të huaja, në Shqipëri nuk njohin kartat e reja të identitetit. Lajmi u bë i ditur nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i cili i rekomandoi dje Kryeministrit të vendit Berisha, Ministrit të Brendshëm Nishani dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Basha, nxjerrjen e një akti nënligjor për të njoftuar dhe detyruar institucionet, me qëllim njohjen dhe pranimin e letërnjoftimit të ri, si dokument bazë për identitetin e shtetasve. Problemi doli në pah pas disa inspektimeve të Avokatit të Popullit në zyrat e gjendjes civile në kryeqytet. Sipas inspektimeve, në këto zyra qëndronin në radhë persona të cilët edhe pse ishin të pajisur me kartat e reja të identitetit, institucione të caktuara nuk ua njihnin ato si dokument identifikimi. Rekomandimi i dërguar dje kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave Bujar Nishani dhe Lulzim Basha, përmend institucionet që vazhdojnë t’u kërkojnë qytetarëve certifikata me fotografi. Ministrinë e Drejtësisë, Arkat e pagesave të PTT-ve, drejtoritë e shkollave të mesme, kompanitë e telefonisë celulare dhe bankat e ambasadat e shteteve të huaja, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, kërkojnë ende certifikatat si dokument. Mësohet se pretendimi i këtyre institucioneve për mosnjohjen e mospranimin e letërnjoftimit të ri kanë qenë “mangësitë” e tij. Sipas tyre, gjeneralitetet e pasqyruara në letërnjoftimin e ri nuk janë të plota, pasi aty nuk pasqyrohet atësia dhe amësia e mbajtësit. Për Dobjanin, përveçse shqetësim të qytetarëve, veprime të tilla zhvlerësojnë letërnjoftimin e ri. “Ne gjykojmë se qëndrime të tilla të disa institucioneve publike e private jo vetëm që nuk janë në shërbim të qytetareve, por i sorollasin ata e ju sjellin shqetësime të panevojshme atyre, kështu që praktikisht bëjnë zhvlerësimin e letërnjoftimit të ri”, thuhej në rekomandim. Gjithashtu, sipas Dobjanit, qëndrime të tilla ndikojnë negativisht edhe ndaj pjesës së popullatës që nuk kanë pajisur me letërnjoftimin e ri, duke ju ulur atyre interesin për aplikimin dhe marrjen e këtij dokumenti. Në përfundim, Dobjani rekomandonte “të nxirret një akt nënligjor nga ana e Qeverisë, nëpërmjet të cilit të njoftohen dhe detyrohen të gjitha institucionet publike dhe jopublike, për të njohur dhe pranuar nga shtetasit letërnjoftimin e ri si dokumentin bazë të identifikimit të tyre”. Gjithashtu rekomandon njoftimin për pajisjet e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin e ri të gjitha ambasadat e shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe që t’i pranojnë këto. ar.ba
Kush nuk i njeh kartat
Ministria e Drejtësisë
Arkat e pagesave të PTT-ve
Drejtoritë e shkollave të mesme
Kompanitë e telefonisë celulare
Bankat e ambasadat e shteteve të huaja