Meta: Qeveria, presion ndaj biznesit në fushatë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi vendimin e fundit të qeverisë për investigimin e biznesit si presion të qeverisë ndaj sipërmarrjes shqiptare. “Vendimi i fundit i qeverisë Berisha për rritjen e kompetencave për tatim-taksat, për investigimin e biznesit dhe të biznesmenëve është një tjetër shembull i presionit në rritje të kësaj qeverie ndaj biznesit dhe ndaj biznesmenëve, sidomos tani në prag të fushatës elektorale. Asnjëherë në këto 4 vite, qeveria Berisha nuk e ka trajtuar biznesin si një partner të domosdoshëm, për zhvillimin e vendit. Përkundrazi, e ka trajtuar si një kundërshtar, duke e trajtuar në mënyrë selektive dhe duke aprovuar një sërë ligjesh dhe aktesh procedurale, të cilat e kanë dëmtuar besimin e biznesit tek ligji dhe tek qeveria. Një nga shembujt evident është miratimi i ligjit për gjobat, i cili më pas u shfuqizua nga gjykatat edhe pas reagimit të Komisionit Evropian”, tha Meta. Sipas tij, LSI e konsideron këtë vendim të fundit të qeverisë Berisha për të investiguar biznesin, me pasoja të rënda, përsa i takon ecurisë së biznesit në vendin tonë, e cila është problematike edhe për shkak të krizës globale, por dhe në mënyrë të veçantë për shkak të krizës shqiptare, që vjen nga kjo mënyrë sjelljeje arbitrare, selektive dhe policeske e qeverisë Berisha ndaj biznesit. Meta u angazhua se, “me fitoren tonë më 28 qershor të ndërtojmë raporte të fuqishme dhe transparente partneriteti me biznesin dhe sipërmarrësit shqiptarë, pasi i shikojmë ata si katalizatorë të zhvillimit të vendit, të ekonomisë tonë kombëtare dhe punësimit të shqiptarëve”.