Abuzim me tenderët, hetohet Drejtoria Arsimore e Korçës
Abuzimet me tenderët e transportit të mësuesve kanë vënë nën hetim Drejtorinë Arsimore të Korçës. Një nëpunës i kësaj drejtorie është çuar për ndjekje penale. Burime të policisë kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet dhe është çuar për ndjekje penale inxhinierja e prokurimeve të drejtorisë arsimore të Korçës. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka organizuar prej vitesh tenderin e transportit të mësuesve. Burimet zyrtare të policisë thonë se çështja penale në ngarkim të inxhinieres së prokurimeve është hapur më 12 nëntor, në bazë të një kallëzimi të bërë në polici. Sipas të dhënave, prej disa vitesh, në kundërshtim me ligjin e prokurimeve dhe me vendimin e Këshillit të Ministrave, nga ana e institucionit nuk është zhvilluar tenderi për transportin. Përzgjedhja e kompanive të transportit është bërë pa tender dhe kjo është zbuluar vetëm pas denoncimit të një mësuesi. Sipas policisë, bëhet fjalë për disa tenderë që nuk janë zhvilluar prej disa vitesh, duke lënë në fuqi të njëjtat linja për kryerjen e transportit të mësuesve dhe duke favorizuar kompanitë e kontraktuara për kryerjen e këtij shërbimi pa kaluar në procedura tenderimi. Ka dyshime se tenderët nuk janë zhvilluar në mënyrë të qëllimshme. Fakti që transporti i mësuesve është kryer pa tender konfirmohet nga ana e drejtorit të Arsimit në Korçë, i cili sqaron se nuk ka vepër penale, pasi nuk është abuzuar dhe se, në rast të mospjesëmarrjes së kompanive në tender, lihet në fuqi kontrata e mëparshme dhe kryhet zgjatja e kësaj kontrate me firmën, apo firmat që kanë bërë transportin një vit më parë. I pyetur për mosorganizimin e tenderëve dhe për mënyrën se si është kryer transporti i mësuesve, Andrea Mano thotë se tenderët janë hapur, por kanë dështuar. Ai mohon që të jetë kryer ndonjë shkelje, kur thotë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë denoncim që ka ardhur nga ana e një mësuesi për qëllime të paqarta. "Me sa jam në dijeni, firmat nuk kanë qenë të interesuara për tenderin, për shkak të ofertave të ulëta dhe si rrjedhojë, duke qenë se nuk kanë pasur interes, nuk kanë marrë pjesë në tender. Kjo ka bërë që tenderi të dështojë", deklaron drejtori Andrea Mano. Në Qarkun e Korçës funksionojnë 17 linja të transportit të mësuesve, të cilat mbulohen prej disa vitesh nga të njëjtat kompani.
J.Dhimitri
J.Dhimitri