E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, numri i të prekurve shkon në 76

Deri dje rreth orës 19: 00 laboratori i Institutit të Shëndetit Publik ka raportuar plot 76 raste të prekurish me grip derri.

Nga analizat e ISHP-së, çdo ditë po raportohen raste të reja të gripit të derrave, kjo edhe për shkak të shpejtësisë së informacionit, menjëherë pas inaugurimit të laboratorit të virologjisë. Brenda 24 orëve në këtë laborator ekzaminohen mbi 20 kampionë, të cilët merren nga spitalet kryesore të vendit, poliklinika e qendra shëndetësore. Ashtu siç kanë deklaruar edhe autoritetet shëndetësore, tashmë situata është në kontroll dhe përgjigjet jepen në një kohë shumë të shkurtër, ndërkohë që vendi aktualisht është përfshirë në fazën e pandemisë.

Shumica e rasteve të prekura nga AH1N1, sipas Institutit të Shëndetit Publik janë raste të lehta dhe pa komplikacione. Kryesisht pacientët janë të moshave të reja.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në tri shkolla në vend ka pasur fluks pacientësh me grip të zakonshëm.

Mostrat e analizuara në një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet kanë rezultuar të jenë virus stinor dhe vetëm një prej pacientëve të ekzaminuar konfirmohet me A H1N1. Sipas specialistëve, ky rast i vetëm nuk konsiderohet burim i rrezikshëm për përhapjen e virusit në shkollë, pasi nxënësi është trajtuar në shtëpi që nga çasti që është konfirmuar se është prekur nga gripi i derrit.

Në vendin tonë, aktualisht qarkullon gripi i derrave AH1N1, gripi i zakonshëm, ndërkohë që nuk ka të dhëna nëse ka qarkullim të mundshëm të kombinacioneve të dy viruseve.

Plot 11 mijë persona në të gjithë vendin janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar numrin e personave të prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›