E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal me shpërblimet e Gërdecit, akuzë zyrtarëve

 

TIRANE – Prokuroria zbuloi një konflikt të pastër interesi në mënyrën si është realizuar dëmshpërblimi i disa prej familjeve të dëmtuara nga tragjedia e Gërdecit, e cila ndodhi më 15 mars 2008 në zonën e Vorës. Sipas hetimeve të prokurorisë, në 27 banesa dëmet e shkaktuara janë mbivlerësuar me anë të plotësimit abuziv të faturave fiktive. Në këtë mënyrë, shteti ka paguar nga buxheti i tij shuma më të mëdha sesa dëmet reale që tragjedia u shkaktoi banorëve të zonës. Një fenomen i tillë konsiderohet vepër penale dhe klasifikohet si vjedhje dhe dëm ekonomik i shkaktuar shtetit shqiptar. Hetimet e prokurorisë për abuzimet e mundshme me vlerësimin e dëmeve në fshatrat e prekura nga tragjedia në Gërdec dhe në Marqinet 1 dhe 2, zbuluan se anëtar të komisioneve të vlerësimit kanë qenë persona që ishin prekur nga tragjedia dhe që vetë ata kanë fryrë faturat me qëllim që të përfitonin sa më shumë para padrejtësisht nga buxheti i shtetit. “Hetimet kanë provuar se shtetasi I.Picari, punonjës i Bashkisë Vorë është caktuar dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve të shkaktuara nga tragjedia. Ky person, duke shfrytëzuar të qenit në komision në cilësinë e punonjësit të Bashkisë së Vorës, ka rritur fiktivisht vlerën e dëmit të shkaktuar në shtëpinë dhe lokalin e tij, duke u bërë shkak që shteti të paguante më shumë para sesa dëmi real i shkaktuar”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, një raport i dytë i hartuar nga ekspertë të thirrur në ndihmë të hetimit është duke përfunduar. Ky raport mësohet se ka përfshirë banesa të dyshuara për mbivlerësim dëmesh në Gërdec dhe në Marqinet. Sipas raportit të dytë të ekspertëve disa banesa dhe disa lokale janë vlerësuar sikur kanë qenë dykatëshe, ndërkohë që kanë pasur vetëm një kat të ndërtuar, ndërsa nuk është marrë parasysh në vlerësim vjetërsia dhe madhësia e banesave dhe godinave të shembura si pasojë e shpërthimit të shkaktuar nga fabrika e demontimit të predhave e fishekëve. Raporti i dytë i gjashtë ekspertëve të thirrur nga prokuroria, ka arritur në përfundimin se në 27 objekte në rajonin e Gërdecit, dëmet janë vlerësuar mbi vlerën reale nga 20 deri në 50 milionë lekë të vjetra. Të gjitha këto shuma janë paguar nga buxheti i shtetit në formën e dëmshpërblimit për pasojat e tragjedisë duke i shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm financiar financave publike të vendit. Prokuroria pritet të marrë të pandehur grupet e ekspertëve të parë që mbivlerësuan dëmet dhe frynë fiktivisht faturat e paguara nga Qeveria në formën e dëmshpërblimit për banorët e prekur nga tragjedia.                        tr.so            

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›