E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektivi, suvaja plagos dy pacientë

 

ZIRINA LLAMBRO

Shembet mbi pacientët suvaja e tavanit në Spitalin Infektiv të kryeqytetit. Për fat të mirë Nafie Kryemadhi, 52 vjeçe, dhe Xhevahire Xhafa, 45 vjeçe, nuk pësuan dëmtime të rënda. Nga sa pohuan mjekët e  ushtarakut, ku ato u dërguan menjëherë pas ngjarjes, dy gratë kanë pasur vetëm goditje të lehta në kokë dhe në krahë. Gjendja e tyre shëndetësore  është e mirë. Incidenti ndodhi dje rreth orës 9 të mëngjesit në repartin e ekografisë tek Infektivi. Bashkë me pacientet në dhomën ku kryhen ekot ishte edhe mjeku Artan Harxhi. “Njëra nga pacientet po priste ndërsa tjetra sa do të futej të kryente ekzaminimin. Dëgjuam një zhurmë nga lart, ku po kryhen punimet e pas kësaj na ra suvaja mbi kokë. Një pjesë të saj e mbajti dollapi që ishte ngjitur me murin për fat të mirë”, tregoi mjeku Harxhi. Ai pohoi se të gjithë bashkë kanë dalë nga dhoma të mbërthyer nga paniku. “Nuk di ç’të them, e vetmja gjë që kërkojmë është të kemi siguri në punë. Sot ra suvaja, nesër mund të bjerë muri. Këto rikonstruksione duhet të jenë brenda parametrave teknikë, ndryshe na duhet të rrimë me frikë gjithë kohës”, u shpreh Harxhi. Alarmi kishte përfshirë dje thuajse të gjithë bluzat e bardha të Infektivit. Gjatë gjithë ditës nuk flitej për gjë tjetër veçse për suvanë e rënë. Dhomës ku kryhen ekot tashmë i është vënë dryni e për ca ditë nuk dihet nëse do të ketë më ekzaminime.
Rikonstruksioni
Që prej dy javësh në katin e dytë të Spitalit Infektiv kanë nisur punimet për rikonstruksionin e repartit të reanimacionit. Bëhet fjalë për krijimin e ambienteve të veçanta, të cilat do të përdoren në rast të prekjes nga virusi i gripit të shpendëve. Por ndërkohë qarkullimi i shtretërve mund të bëhet edhe për sëmundje të tjera, që trajtohen në këtë spital. Projekt i përbashkët i Bankës Botërore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë është vënë në zbatim në kuadër të parandalimit të epidemisë së gripit të shpendëve. Por nga sa bëri me dije Drejtoria e Spitalit, firmës nuk i është dhënë leje për të nisur punimet pa u boshatisur ambientet e katit të parë të spitalit. Siç duket kjo nuk është marrë parasysh nga e kontraktuara “TT”, punëtorët e të cilës ja kanë nisur me nge rikonstruksionit të godinës, për ngritjen e ambienteve të reja. Nuk është hera e parë që në spitalin “Nënë Tereza” ndodhin incidente të tilla. Rreth 3 vjet më parë në spitalin e sapo rikonstruktuar të ORL (spitalin) francez u shemb tavani në të njëjtën mënyrë. Kjo edhe pse ndërtimet kishin kushtuar jo pak por rreth 2.7 milionë euro. Edhe pse investimet kolosale nuk mungojnë në QSU, rëndom punimet bëhen shkel e shko. Pasojat gjithnjë mbi pacientët e kësaj herë mbi vetë personelin e bluzave të bardha.

“Firma nisi punimet pa dijeninë e drejtorisë”
Drejtoria e QSUT i largoi përgjegjësitë nga vetja për incidentin e ndodhur dje tek Infektivi. Por me gjithë këtë nuk mund t’i shmanget atyre. Kjo pasi me pak fjalë deklarata e djeshme i ngjan asaj shprehjes “Jam në shtëpi, po nuk e di se çfarë ndodh”. Drejtoresha e spitalit ka fajësuar firmën për ngjarjen që ndodhi, e cila nuk ka nënshkruar më parë një marrëveshje për supervizionin e punimeve. “QSUT, e cila është vetëm përfituese nga ky projekt, pasi ambientet e rikonstruktuara do të përdoren për të gjithë të sëmurët që kurohen aty, i kishte kërkuar firmës të mos niste punën pa sistemuar ambientet në katet e mëposhtme të godinës së Repartit Infektiv. Ky repart po rikonstruktohet në bazë të një projekti të përbashkët mes Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Bujqësisë dhe e financuar nga Banka Botërore për “Mbrojtje nga gripi i shpendëve dhe pandemia Humane”, u shpreh në një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen, Drejtoresha e QSUT-së Gjeorgjina Kuli. Sipas saj, situata është nën kontroll dhe ambientet ku ra suvaja janë boshatisur. Kuli pohoi se kishte aprovuar projektin por i kishte kërkuar firmës së ndërtimit që të mos punonte pa nënshkruar më parë një marrëveshje me QSUT, e cila do të kryente dhe supervizionimin e punimeve. “Pacientja e lënduar nga ky incident është Nafije Kryemadhi, e cila ndodhej e shtruar në Repartin Infektiv. Ajo u dërgua në Spitalin Ushtarak në Repartin e Traumatologjisë, për të parë nëse kishte fraktura dhe pas ekzaminimeve u transportua sërish në QSUT. Së bashku me të në momentin e aksidentit ndodhej dhe Xhevrie Xhafa, e afërme e saj, por nuk pati asnjë pasojë. Edhe mjeku që po kryente EKO-n nuk pati probleme”, tha Kuli. Ajo nënvizoi se me gjithë kërkesën që i kishin bërë firmës, punimet nisën pa dijeninë e tyre. Kjo në fakt tingëllon jo shumë  normale. Pasi të bën të mendosh  që gjithkush mund të bëjë në spitalin më të madh në vend çfarë t’i teket,  pa pyetur fare drejtuesit. Mund të vihen në zbatim projekte që kërcënojnë jetën e pacientëve e mjekëve. Nëse firma që po zbatonte punimet, përgjigjet vetëm për llaçin e tullat. Përgjegjësia e drejtuesve të QSUT duhet të jetë dy herë më e lartë. Pasi çdo tullë që vihet në spital duhet që më parë të kalojë në filtrat e kontrollet e drejtorisë.

Suvaja tek Infektivi në QSUT, punimet filluan para afatit 

TIRANE - Shembja e një pjese të suvasë në reanimacionin e spitalit Infektiv, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ka shkaktuar 3 të plagosur, si dhe ka iniciuar nisjen e hetimeve për firmën që kishte marrë përsipër rikonstruksionin e pavijonit, por që nuk ka respektuar afatet dhe as kushtet e sigurisë në punë. Tre pacientë kanë mbetur të plagosur lehtë, pasi gjatë kohës që prisnin të merrnin shërbimin mjekësor, në sallën e Ekos ka rënë suvaja e tavanit, duke u shkaktuar plagë në kokë dy grave dhe një burri, që ishin të shtruar në pavijon. Një nga mjekët e Infektivit ka treguar se ka qenë ora 10:30 e mëngjesit të djeshëm kur ka dëgjuar të bërtitura dhe ka parë se pacientët ishin lënduar. Të tre pacientët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku dhe kanë marrë mjekimin e nevojshëm. Ky incident ka ardhur për shkak të punimeve që po kryheshin në katin e dytë të spitalit Infektiv për përshtatjen e ambienteve të reanimacionit për mbrojtje nga gripi i shpendëve, projekt ky i Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik. Burime nga spitali bënë të ditur se fillimisht është kërkuar lidhja e një kontrate nga ana e firmës së ndërtimit që kishte marrë përsipër rikonstruksionin në spital dhe në Qendrën Spitalore, për efekt të kushteve dhe kontrollit të sigurisë në ambient, duke qenë se në pavijon kishte pacientë të shtruar. Gjithashtu, të njëjtat burime kanë sqaruar se nga ana e spitalit është kërkuar që punimet të mos nisin pa u konsultuar më parë me QSUT-në. Por siç duket afatet nuk janë respektuar dhe punimet kanë nisur para kohe. Duke u nisur nga kjo një grup pune i policisë ka nisur hetimet në lidhje me firmën e ndërtimit, për të verifikuar kushtet e sigurisë në punë, por edhe mosrespektimin e afateve dhe nisjen e punimeve para kohe.       e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›