E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatnikaj, prokuroria hap dy dosje të reja për pronat

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-kryetari i Agjencisë Kombëtare të Pronave, Tunxh Vatnikaj dërgohet në gjyq me akuzën “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në skandalin e tjetërsimit të pronësisë së 48 hektarëve tokë në zonën e “Plazhit të Gjeneralit”, komuna Synej në Kavajë. Problemet e ish-zyrtarit të lartë të Agjencisë së Pronave me drejtësinë duket se nuk mbarojnë me kaq, pasi organi i akuzës ka hapur hetimet edhe për dy dosje të tjera abuzimesh me vendimet e Agjencisë për “kthim prone”. Në të njëjtën kohë me dërgimin në gjyq të dosjes së “Plazhit të Gjeneralit”, Prokuroria e Tiranës po kryen hetime ndaj ish-kreut të Agjencisë së Pronave edhe për implikim në skandalin e tjetërsimit të pronësisë për një sipërfaqe 27 hektarë tokë në “Gjirin e Lalzit” në bregdetin e Durrësit. Në vendimin e dhënë nga Agjencia e Pronave, sipas kallëzimit të datës 19 shkurt 2009 depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Tunxh Vatnikaj ka firmosur “kthimin e pronës” për persona të cilët sipas të gjitha dokumenteve, nuk janë pronarë të tokës, e cila pretendohet me dokumente autentike nga familja Preza. Sipas hetimeve, vendimi që jep 27 hektarë tokë në “Gjirin e Lalzit” është firmosur vetëm një ditë para se Tunxh Vatnikaj të shkarkohej nga Qeveria në fillim të këtij viti, me argumentin e shkeljeve administrative gjatë kryerjes së detyrës. Dosja e tretë në ngarkim të Tunxh Vatnikajt është regjistruar dje në Prokurorinë e Tiranës dhe bën fjalë për vendimin e AKKP-së për kthimin e padrejtë të pronës, që ka prekur sipërfaqen 62 mijë metra katrorë në zonën e ish-repartit ushtarak tek “Kodra e Priftit” në Tiranë. Ky procedim penal mësohet se është hapur pas kallëzimit të paraqitur në prokurori nga familja Pici, e cila me dokumente autentike pretendon pronësinë e tokës në fjalë, që u është dhënë personave të tjerë me vendim të AKKP-së dhe me firmë nga ish-drejtori Tunxh Vatnikaj. Numri i çështjeve penale në hetim për abuzime me pronat duket se po rritet nga dita në ditë në prokurorinë e Tiranës. Ish-kryetari i Agjencisë së pronave Tunxh Vatnikaj u paraqit dje në këtë institucion, në cilësinë e të pandehurit ku është njohur me kërkesën për gjykimin e dosjes “Plazhi Gjeneralit”, ku janë vendosur nën akuzë tetë persona. Bashkë me Vatnikajn në prokurori mësohet se ka qenë edhe ish-shefi i Zyrës Juridike të Agjencisë së Pronave Ali Aliu, i cili është pyetur në cilësinë e të pandehurit dhe më pas është njoftuar me aktin e mbylljes së hetimeve. Në dosjen e skandalit të “Plazhit të Gjeneralit” janë marrë të pandehur edhe gjashtë persona të tjerë të akuzuar për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “falsifikim dokumentesh me pasoja të rënda”. Të pandehurit janë thirrur ditën e sotme në Prokurori për t’u njohur me aktin e mbylljes së hetimeve të nisjen e dosjes penale për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. 

Ish-zyrtari
Tunxh Vatnikaj është zyrtari më i lartë i Agjencisë Kombëtare të Pronave që po përballet me akuza penale për abuzime gjatë ushtrimit të detyrës. Falsifikimi i dokumenteve të pronave ka qenë një tendencë kriminale e rrezikshme vitet e fundit, kryesisht në Tiranë, ndërsa numri i çështjeve të kësaj natyre në hetim nga prokuroria, po rritet çdo ditë. Ish-kreu i Agjencisë Kombëtare të Pronave, gjatë ballafaqimeve në prokurori, ka pretenduar se vendimin e marrë nga vetë ai për “kthim prone” në “Plazhin e Gjeneralit”, që bëri pronarë të tokës disa persona fiktivë e kishte anuluar. Prokuroria tha se ka prova që e implikojnë ish-gjyqtarin Vatnikaj në veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me persona të tjerë si avokatë, juristë dhe biznesmenë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›