E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet ish-kreu i minierës, shiti zyrat dhe makineritë

 

Etleva Delia

Njësia Task-Force Antikorrupsion dhe Policia e Tiranës arrestuan dje ish-drejtorin e Minierës së Qymyrgurit të Mushqetasit, me akuzën e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën, e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Ylli Shaba, i cili ka drejtuar këtë minierë për dy vjet, në periudhën kohore 2003-2005, fillimisht është hetuar për falsifikim dokumentesh për pension minatori. Por hetimet kanë zbuluar se abuzimi i tij shkonte edhe më tej në “shitjen privatisht të zyrave dhe materialeve të shtetit”. Përveç falsifikimeve që ka kryer, Shaba dyshohet se ka shitur disa nga zyrat e minierës, si dhe disa makineri. Madje, sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se 48-vjeçari ka shitur për 20 milionë lekë të vjetra një makinë të minierës së Qymyrgurit, duke i përfituar vetë paratë.
HETIMI
Disa denoncime në zyrat e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, kanë iniciuar nisjen e hetimeve për Ylli Shabën, ish-drejtor në Minierën e Mushqetasit. Fillimisht oficerët e policisë në bashkëpunim me Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, kanë nisur verifikimet e dosjeve të pensioneve të minatorëve, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara me firmën e Shabës, në kohën kur ai ka qenë në detyrë, nga viti 2003 deri në vitin 2005. Por hetimet për falsifikim kanë zbuluar edhe një skandal akoma më të madh, që ai ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës në minierë. Para se të largohej nga detyra, Shaba kishte arritur të shiste disa nga zyrat e minierës, si dhe makineritë. Hetimet kanë zbuluar se ai ka shpërdoruar detyrën, duke vjedhur paratë nga shitja e një makine, në shumën prej 20 milionë lekësh të vjetra.
VERIFIKIMET
Vetëm disa orë pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e Minierës së Mushqetasit, Ylli Shaba, policia e ka arrestuar me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Burimet sqaruan se disa nga akuzat janë verifikuar plotësisht nga grupi hetimor, ndërkohë që hetimet nuk kanë përfunduar deri në verifikimin e plotë të të gjitha abuzimeve që dyshohet se ka kryer 48-vjeçari gjatë periudhës 2003-2005. Jo vetëm kaq, policia po heton edhe persona të tjerë, të cilët mund të jenë bashkëpunëtorë të ish-drejtorit të arrestuar. Gjithashtu përveç kësaj, do të verifikohen edhe të gjitha dosjet e pensioneve të minatorëve, të cilët sipas policisë dyshohet se kanë përfituar pension të jashtëligjshëm, me dokumente të falsifikuara, edhe pse nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në minierë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›