E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzim në tender, burg dhe gjoba për pesë zyrtarë

Anëtarët e Komisionit të Tenderëve të Bashkisë së Kavajës janë përballur dje me pretencën e prokurorit të Kavajës. Pas afro 10 muajsh që nga nisja e hetimeve për 5 anëtarët e komisionit të tenderëve dhe përfaqësuesit të një firme private, gjykimi i është afruar fundit. Prokurori Dritan Nushi kërkoi shpalljen fajtor të të pandehurve Emiljano Daismaili, përfaqësues i firmës "Daismaili sh.p.k." në Peqin, Edmond Arkaxhiu, kryetar i komisionit të tenderit, Suzana Arkaxhiu, anëtare e komisionit, Helidon Plaku, jurist i bashkisë dhe anëtar i komisionit, Kostandin Filja, anëtar i komisionit dhe Emine Verria anëtare e komisionit. Për Emiljano Daismaili prokuroria kërkoi 6 muaj heqje lirie dhe 400 mijë lekë gjobë, për anëtarët e komisionit Edmon Arkaxhiu dhe Helidon Plaku dënimin me gjobë 500 mijë lekë dhe heqje të së drejtës për ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore për 5 vjet, ndërsa për tre anëtarët e tjerë të komisionit u kërkua dënim me gjobë 200 mijë lekë dhe përjashtim nga administrata publike për 5 vjet. Daismaili u cilësua fajtor për veprën penale të falsifikimit, ndërsa anëtarët e komisionit për shkelje të barazisë në tenderë dhe vlerësim me dashje të dokumenteve të falsifikuara. Akuza ka mundur të verifikojë edhe lidhjet e gjakut mes drejtuesit të firmës dhe kryetarit të komisionit të tenderëve në Kavajë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›