E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia-minatorëve: Protestoni me datë 6, të hënën jemi të zënë

Java e ardhshme do të jetë e mbingarkuar në trafikun rrugor. Lajmi vjen nga Drejtoria e Policisë, e cila i këshillon drejtuesit e automjeteve të qarkullojnë sa më pak në rrugët kryesore, sidomos në qendër. Duke nisur nga e hëna deri të enjten, kryeqyteti do të jetë i përfshirë nga aktivitete për punonjësit e policisë. Ditën e hënë ata do të jenë në shërbim të plotë për delegacionet që do të mbërrijnë në vendin tonë. Ndërsa ditën e enjte do të jenë në krye të gatishmërisë për të ruajtur rendin dhe qetësinë gjatë protestës së minatorëve. Punonjësit e nëntokës kanë kërkuar të marrin leje për protestë, për ditën e hënë, por policia është përgjigjur zyrtarisht që kjo datë është e planifikuar për të tjera ngjarje. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, bazuar në kërkesën e paraqitur nga Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, për zhvillimin e një tubimi paqësor më datë 3, njofton se ky tubim do të zhvillohet më datë 6, nga ora 10.00 deri më 12.00 të kësaj dite. Në këtë kuadër, Policia e Tiranës, më datë 6 nëntor, nga ora 10.00 deri në orën 12.00, do të marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, ku do të kryhet bllokimi i qarkullimit të automjeteve, të shtrirë përgjatë sheshit "Nënë Tereza", bulevardit "Dëshmorët e Kombit", Tiranë. Shërbimet e Policisë së Tiranës, më datë 3 do të jenë të angazhuar me shërbime dhe shoqërime delegacionesh, ndaj i është kthyer një përgjigje zyrtare Sindikatës së Minatorëve për shtyrjen e zhvillimit të tubimit më datë 06 nëntor 2008, ku itinerari dhe vendi mbeten të njëjtë, sipas kërkesës së drejtuar. Me synim ecurinë normale të këtij tubimi, Drejtoria e Policisë ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe bashkëpunim, në drejtim të bllokimit të akseve rrugore, i cili do të kryhet më datë 6 nëntor. "Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, duke i këshilluar këta të fundit ta minimizojnë në maksimum qarkullimin e mjeteve, me synim lëvizjen normale të trafikut në Tiranë", sqaroi në një njoftim zyrtar Drejtoria e Policisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›