E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballsh, policët protestojnë për pagat

Policët që ruajnë Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh kanë dalë në protestë dje paradite. Shkak është bërë paga e pa marrë prej tyre prej afro pesë muajsh. Për protestën e organizuar të premten, policët kishin lajmëruar drejtuesit e Komisariatit të Ballshit, si dhe drejtorinë e KPTHN-së. Të dyja këto institucione ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërkohë që 88 familje prej muajsh janë duke përjetuar krizën ekonomike. Në orën 09.00 të ditës së djeshme, mbi 30 policë që ruajnë KPTHN-në në Ballsh janë mbledhur në sheshin para repartit të tyre dhe kanë kërkuar pagën që nuk e kanë marrë prej më shumë se katër muajsh. Protesta e policëve ka zgjatur afro një orë. Policët kanë vijuar protestën e tyre përpara KPTHN-së, si dhe përpara Komisariatit të Policisë Ballsh. Disa nga pjesëmarrësit në protestë thanë se nuk i marrin rrogat prej pesë muajsh, edhe pse u është kërkuar të vazhdojnë punën normalisht. Shpëtim Haruni, i cili sapo kishte lënë shërbimin e natës, u shpreh për gazetën "Shqip" se "po hyjmë në muajin e pestë që nuk jemi paguar. Kush përgjigjet për familjet tona që vetëm me këtë pagë mbahen!? Askush nga këta titullarë të shtetit nuk do që t‘ia dijë". Qatip Hoxhaj, një tjetër polic, shpjegon për "Shqip" se paga e tyre nuk është shpërndarë që nga muaji korrik. "Në fakt, ne paga nuk na u dha që nga muaji maj. Para dy muajsh na bënë pagesën e majit e një pjese të qershorit, kurse pjesën e dytë të qershorit, si dhe muajt e tjerë me radhë, deri tani as që kanë ndërmend të na i japin", thotë Qatip Hoxhaj. Islam Kodhelaj shton më tej se "në bazë të deklaratave që marrin nga financa e KPTHN-së, si dhe e Komisariatit të Policisë, na rezulton se paga jonë nga ARMO është firmosur dhe lëshuar. Ajo po përdoret për përfitime interesash në bankë. Fitimet nuk dihet se kush i merr". Kjo akuzë është hedhur edhe gjatë protestës së djeshme nga policët. Ata thonë se paga e tyre në bazë të pozicionit dhe vjetërsisë varion nga 40 mijë në 70 mijë lekë. "Për afro pesë muaj që nuk jemi paguar, shuma që po përdorin për fitimet e tyre pushtetarët, duke i futur në banka, është rreth 220 milionë lekë", thotë Gani Hasimetaj, një tjetër polic. Protesta është ndjekur nga afër edhe nga kreu i Komisariatit të Ballshit, Viktor Ago. Ai tha për gazetën "Shqip" se, pasi është lajmëruar për reagimin e policëve që ruajnë KPTHN-në, ka marrë kontakt me drejtuesit e ndërmarrjes. "Kam komunikuar me një nga drejtorët teknikë të ARMO-s, Kujtim Osmënajn, i cili më ka thënë se çeku i pagave të policëve është në financë", thotë shefi i Komisariatit të Ballshit, ndërsa shpjegon se administrativisht kjo strukturë e policisë varet nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, ndërsa financiarisht nga Ministria e Energjetikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›