E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga "italiane" për bashkëpunëtorin e Altin Dardhës

Policia e Beratit vë në pranga një nga anëtarët e bandës së tmerrshme të Altin Dardhës. Rreth 11 vjet pas vitit të trazuar, që në Berat shkaktoi më shumë viktima se kudo tjetër, policia i ka vënë prangat Artan Tares, i cili dyshohet si anëtar aktiv i bandës së lagjes "Çelepias", që drejtohej nga Altin Dardha dhe mbi të cilën rëndojnë një numër i madh krimesh të rënda. Por, megjithëse ka dyshime të forta për pjesëmarrjen e Tares në krimet e vitit 1997, policia ka arritur ta vërë atë në pranga vetëm pas një kërkese të Interpol Romës. Artan Tare (Boce), 32 vjeç është arrestuar dje rreth orës 18.00 në qytetin e Beratit, në kuadër të operacionit me emrin e koduar "Stacioni i fundit". 32-vjeçari jetonte në Berat prej dy vjetësh, pas një periudhe të gjatë emigrimi në Itali. Pikërisht në Gadishullin Apenin, Tare është bërë për herë të parë objekt i punës së organeve të drejtësisë. Sipas burimeve nga Policia e Beratit, në vitin 2006 ai është dënuar nga Gjykata e Torinos në Itali për trafik ndërkombëtar droge, si dhe për pjesëmarrje në organizata kriminale. Me këto akuza të vërtetuara nga drejtësia italiane, Prokuroria e Beratit ka kërkuar arrestimin e Tares dhe gjykata ka lëshuar dje urdhërarrestin e kërkuar, për t‘i hapur rrugë policisë të vinte në zbatim operacionin. Ndërkohë, burime nga Drejtoria e Policisë së Beratit konfirmojnë se Artan Tare hetohet edhe në Shqipëri për krime të vitit 1997. Mësohet se Tare mbahej në vëzhgim nga policia, e cila po riheton krimet e bandave të Beratit gjatë vitit 1997. Por policia shqiptare nuk ka arritur të vërtetojë plotësisht fajësinë e 32-vjeçarit dhe nuk ka mundur të bëjë tjetër përveçse ta vëzhgojë atë, pa ia cenuar lirinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›