Greqi, vritet shqiptari në sy të fëmijës
ATHINE - Ekzekutohet në mënyrë barbare në praninë e fëmijës së tij, emigranti shqiptar në Greqi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në një lagje të Athinës, kur persona ende të pa identifikuar nga policia, qëlluan me armë zjarri në distancë të afërt emigrantin shqiptar, 45 vjeç. Policia nuk dha detaje në lidhje me ngjarjen, ndërsa dëshmitarë të vendit të krimit kanë thënë për median greke se shqiptari ishte me fëmijën e tij në rrugë kur u qëllua me breshëri armësh duke gjetur vdekjen në vend. Atentati ka ndodhur në lagjen Agjio Pandeleimona. Në momentin e vrasjes, policia tha se shqiptari po afrohej tek makina e tij të cilën e kishte parkuar në zonën ku u qëllua për vdekje me armë zjarri. Hetimet e zhvilluara deri dje në mbrëmje tregonin se autorët e krimit janë shtetas të huaj në Greqi ndërsa policia po heton edhe aktivitetin e viktimës, për shkak të dyshimeve se ngjarja e ka zanafillën në larjen e hesapeve që lidhen me veprimtari të paligjshme. Emri i emigrantit shqiptar që u ekzekutua me armë, nuk është bërë i ditur deri dje në mbrëmje nga autoritetet greke.