E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe, në presion, federata i kërkon fitoren e zgjedhjeve



Leonard Karaj

Trajneri i Kombëtares ka theksuar faktin se federata i ka vënë përballë një skuadër të fortë nga njëra anë si dhe i kërkon me patjetër rezultat, kjo në prag të Asamblesë Zgjedhore të 9 marsit. Sipas Kuzhesë duhet një skuadër kompakte mbrëmjen e sotme për të mundur një ekip si Irlanda e Veriut, teorikisht më superiore se përfaqësuesja jonë. “Sigurisht, ndeshja me Irlandën është një sfidë përgatitore dhe ne do të përpiqemi që të përmirësojmë lojën tonë edhe pse kemi një kundërshtar të fortë. Një rezultat i mirë, përveçse do të kënaqë tifozët, do të krijojë edhe një atmosferë pozitive në ekip. Por ka dy këndvështrime, unë si trajner dua ta fitoj këtë ndeshje, ndërsa nga ana tjetër federata na ka vendosur përballë një kundërshtari të fortë që do të jetë diçka plus për skuadrën tonë. Preferoj që ekipi të zhvillojë lojë kompakte, lojë grupi dhe individualitetet do të doja që të ndihmonin në këtë sfidë që do ta na shërbejë shumë për të parë gjendjen aktuale të grupit të lojtarëve. Nuk mund të them ende një formacion pasi kemi një problem dëmtimi me Lorik Canën. Unë normalisht e kam parashikuar dhe një zgjidhje nëse ai do të mungojë, por gjithsesi do të pres deri ditën e nesërme (sot) dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me rikuperimin e tij”, ka theksuar trajneri i Kombëtares.
Kroati u shpreh gjithashtu se çështja Mavraj, që refuzoi të jetë pjesë e kombëtares, e ka vonuar jo pak planin e tij për rregullimin e mbrojtjes, ndërsa pranoi se gjatë gjithë kohës në Shqipëri nuk ka gjetur ende një qendër mbrojtës të mirëfilltë. “Kur erdha në fillim këtu, Shqipëria kishte pikën e fortë mbrojtjen dhe vuante në sulm, pasi kishte shënuar vetëm me Maltën. U mundova të rregulloja diçka në sulm, ndërsa tani më duhet t’i rikthehem sërish mbrojtjes. Rikthimi i Beqajt, që unë e kam parë vetëm në DVD mendoj se është shumë i rëndësishëm, pasi ai është një pikë shumë e fortë e kësaj skuadre”, shtoi tekniku kuqezi. Ndaj Irlandës së Veriut, Shqipëria është ndeshur 8 herë, të gjitha këto ndeshje zyrtare. Bilanci i përballjes është në favor të irlandezëve, të cilët kanë grumbulluar 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje.

Shqipëria

Portierë: Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta), Isli Hidi (Krivbas)
Mbrojtës: Andi Lila (Tirana), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Kristi Vangjeli (Aris Selanik), Ansi Agolli (Krivbas), Lorik Cana (Sanderland), Debatik Curri (Vorskla Poltava)
Mesfushorë: Altin Lala (Hanover), Ervin Bulku (pa skuadër), Klodian Duro (Apollon Limasol), Ervin Skela (Tus Koblenz), Jahmir Hyka (Mainz), Gilman Lika (Boluspor), Emilian Vila (Dinamo), Gjergj Muzaka (Tirana)
Sulmues: Erjon Bogdani (Chievo), Hamdi Salihi (Rapid Vjena), Edmond Kapllani (Tus Koblenz), Elis Bakaj (Dinamo)
Trajner: Josip Kuzhe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›