Raporti britanik, zgjedhjet e 28 qershorit të mira, por nuk mungojnë kritikat
Qeveria britanike, në raportin e fundit që ka publikuar për të drejtat e njeriut, vlerëson procesin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, megjithatë, ka hedhur kritika se zgjedhjet nuk i plotësuan të gjitha standardet e pritshme. Raporti është bërë publik nga ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, i cili tha se zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve. Në këtë raport lihet të nënkuptohet se nuk u plotësuan tërësisht standardet për një proces zgjedhor të përsosur, por, sipas raportit, sërish mund të thuhet se u bë punë e mjaftueshme për realizimin pozitiv të tyre. “Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme më 28 qershor. Ato u monitoruan nga OSBE/ODIHR-i, sipas të cilave, këto zgjedhje përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve, por nuk arritën standardet demokratike”, - theksohet në raport. Qeveria britanike, në raport shprehet se në vitin 2009 ka pasur njoftime për sulme të dhunshme kundër gazetarëve në Shqipëri (për ish-botuesin e gazetës "Tema", Mero Baze, një kritik i qeverisë së kryeministrit Sali Berisha) dhe të presionit që ushtrohet në disa media, sidomos në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në raport thuhet se qeveria britanike, gjatë vitit 2009 ka mbështetur një numër të projekteve për
përparimin e vendeve në promovimin e të drejtave të njeriut. Këtu përfshihet trajnimi për gjyqtarët shqiptarë, sipas ligjit të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut. Sipas raportit, është ofruar asistencë dypalëshe dhe shumëpalëshe për zhvillimin e kapaciteteve të Policisë shqiptare për të hetuar krimin të organizuar.
Regjistrimi
Në raport thuhet konkretisht se u realizuan përmirësime në procesin e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, duke u konsideruar këto si përparime në kuadrin e zgjedhjeve në tërësi. “Përmirësimet në sistemin elektoral, bazuar në rekomandimet e ODIHR-it, duhen bërë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011, ku do të nevojitet mbështetja e të gjitha partive politike”, - theksohet në raport.
Korrupsioni
Raporti britanik i bën thirrje qeverisë shqiptare se duhet të marrë masa më efektive në luftën kundër korrupsionit. Britania konstaton se korrupsioni mbetet një proces i rëndësishëm për t’u adresuar në Shqipëri. Në raport thuhet se megjithëse u shënuan përparime me listat e votuesve dhe në procesin e identifikimit, bazën ligjore dhe procedurën e votimit, këto u arrestuan nga politizimi i procesit. “Duhet një strategji më efektive në luftën ndaj korrupsionit, veçanërisht çështjet që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë”, - nënvizon raporti. Marrja e masave sistematike dhe strategjike, theksohet në raport, në luftën kundër korrupsionit është e nevojshme, veçanërisht në rastet e korrupsionit të dyshuar të nivelit të lartë, ku një rekord i ndjekjeve penale ende mungon.
19 Mars 2010