Strasburgu pranon të gjykojë padinë për Gërdecin
Laureta Rryçi
Gjykata e Strasburgut pranon të gjykojë padinë e banorëve nga Gërdeci. Zamira Durdaj, që humbi djalin 7-vjeçar ditën e tragjedisë, duket se e ka vënë në rrugë të mbarë betejën ligjore me shtetin shqiptar. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë se padia civile nuk duhej të gjykohej me padinë penale, ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë vendim. Mirëpo Kushtetuesja, pa e nisur shqyrtimin, vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë. Durdaj, e cila ndjek rregullisht të gjitha proceset për Gërdecin, përpiloi e vetme padinë duke ia drejtuar kësaj radhe Gjykatës së Strasburgut. Fillimisht asaj i erdhi një shkresë që kërkesa e saj duhej të shoqërohej me një sërë dokumentacionesh. Ndërsa vetëm pak ditë më parë Durdaj ka marrë një tjetër shkresë zyrtare nga Strasburgu. Kësaj here për të është një lajm edhe më i mirë. Asaj i është komunikuar zyrtarisht se kërkesa e saj i përmbush kriteret për t’u gjykuar nga kjo gjykatë dhe në ditët në vazhdim ajo do të njoftohet për datën e seancës së parë. Po sipas shkresës, Durdaj këtë proces mund ta ndjekë vetë ose nëpërmjet avokatit të saj.
Në përgjigjen e ardhur kallëzueses Zamira Durdaj, nena e Edison Durdajt (fëmija që humbi jetën në këtë shpërthim), sqarohet se Sekretariati i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë letrën e datës 9 nëntor 2009, ku shpjegohet edhe qëllimi i drejtuar asaj gjykate. Durdaj vihej në dijeni në përgjigjen zyrtare se dosja e saj mban numrin 63543, ndërsa i është lënë një afat disaditor për të përgatitur dosjen e tyre ku parashtrohen provat dhe pretendimet ligjore. Familjarët e viktimave të Gërdecit, në nëntor të vitit të kaluar iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut duke ankimuar vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tyre për t’u bërë palë në procesin gjyqësor penal.
Shkresa e parë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Zamira Durdaj përpiloi kërkesën e mëposhtme duke nisur kështu betejën ligjore me shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. “Unë, aplikuesja Zamira Durdaj, jam një nga trashëgimtarët ligjorë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit (15 mars 2008) në Shqipëri, e legjitimuar si e tillë, bashkë me të tjerët, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e paraqitur si palë në gjykim në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë. Me këtë kërkesë Ju drejtohem pasi unë, bashkë me trashëgimtarët e tjerë ligjorë, duam të paraqesim ankim kundër shtetit shqiptar para kësaj Gjykate të nderuar dhe përkatësisht kundër Vendimit Nr.66, datë 15.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u vendos moskalimi në seancë i çështjes së ngritur nga ne kundër Vendimit Nr.6, datë 22.05.2009 të Gjykatës së Lartë, me të cilin pa na verifikuar si palë në proces na kanë veçuar, duke na hequr të drejtën për një proces të rregullt ligjor. (Neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut). Meqenëse vendimet e sipërcituara përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të neneve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe pasi i kemi shteruar mjetet e brendshme ligjore, kërkojmë që të paraqesim aplikimin para Gjykatës Tuaj, brenda afatit gjashtëmujor dhe për këtë arsye kërkojmë që të pajisemi me kopje të formularit përkatës dhe të numrit për dosjen tonë”. Kjo ishte kërkesa e parë e plotë që u dërgua drejt Strasburgut.
Kërkesa
Familjarët e viktimave kërkuan të ishin pjesë e gjyqit me qëllim që veç dënimit penal ndaj të akuzuarve, me burgime ose me gjobë, të kërkonin dëmshpërblim prej tyre për viktimat e shkaktuara nga ngjarja e Gërdecit. Gjykata Kushtetuese ka argumentuar vendimin e saj, duke thënë se Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Tiranës ende nuk kanë përfunduar shqyrtimin e dosjes "Gërdeci". Si rrjedhim, sipas Gjykatës, padia e familjarëve të viktimave përbën një vendim të ndërmjetëm për të cilin Gjykata Kushtetuese nuk e shqyrton kërkesën. Një zhvillim i tillë i procesit duket se do t'u garantojë të drejtën familjarëve të viktimave të tragjedisë, por vetëm në letër. Gjykata Kushtetuese rrëzoi pa nisur shqyrtimin kërkesën e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Kësisoj, pas 26 të vrarëve nga shpërthimi i Gërdecit, familjarët e humbën të drejtën për të ndjekur procesin ndaj personave të akuzuar nga prokuroria.
Kushtetuesja pritet të shprehet për të dytën herë për Gërdecin
Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për të dytën herë për tragjedinë e Gërdecit. Dy të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, Roxhers Durdaj dhe Alekta Hazizaj, kanë dhe një mundësi të vetme për të vijuar betejën ligjore me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pas dy vitesh nga dita e tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës së Lartë për mospërfshirjen e ish- ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, në procesin gjyqësor për ngjarjen. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit në 15 marsin e vitit 2008 u vranë 26 persona, punëtorë dhe banorë të zonës përreth, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Nga shpërthimet u plagosën apo u lënduan 300 persona të tjerë, ndërsa pati shkatërrime dhe dëmtime të banesave e të bizneseve private në një rreze deri në 5-6 kilometra. Ndaj ministrin ka dhe dy padi civile të tjera që po shqyrtohen në Gjykatën e Tiranës.
Për Gërdecin, disa padi civile
Vetëm pak muaj më parë familjarët e tragjedisë paditën ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Mihal Delijorgjin, “Albademil”-in dhe kompaninë “MEICO” duke kërkuar 20 milionë lekë dëmshpërblim për çdo jetë të humbur në Gërdec. Mirëpo padia e tyre nuk u bashkëngjit me këtë proces duke përfunduar në Gjykatën civile të Tiranës. Në Gjykatën penale të Tiranës ndodhen në akuzë edhe 29 të pandehur të tjerë, me një seancë që shpresohet të zhvillohet gjatë kësaj javë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka për të gjykuar për këtë çështje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padisë për dëmshpërblim, bashkë me familjarët, i është bashkangjitur edhe padia e shtetit që do të përfaqësohet nëpërmjet Avokatit të Shtetit. Përfaqësuesit e shtetit kanë përllogaritur dëmet financiare që shkaktoi kjo tragjedi dhe fondet që u morën nga buxheti i shtetit për t’iu kaluar të dëmtuarve.
Dosja që përgatiti institucioni i akuzës
Nga 29 të pandehur, të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.
19 Mars 2010