Treni elektrik, gjykata amerikane, 20 milionë dollarë gjobë qeverisë “Berisha” për prishje kontrate
Një gjykatë amerikane nga Uashingtoni ka konfirmuar gjobën prej 20 milionë dollarësh që i është vënë qeverisë shqiptare nga Gjykata e Arbitrazhit, duke e cilësuar atë si të drejtë, pasi qeveria, përkatësisht Ministria e Transporteve, ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën për ndërtimin e të ashtuquajtur treni elektrik, një projekt i firmosur nga qeveria "Nano" në vitin 2003. Beteja ligjore mes qeverisë dhe “General Electrik” ka nisur që nga viti 2005, kur qeveria “Berisha”, e sapoardhur në pushtet, anuloi në mënyrë të njëanshme projektin me vlerë 74 milionë euro për ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhte Tiranën me Kavajën. Fillimisht Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit i dha të drejtë kompanisë amerikane, duke fajësuar qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës. Për rrjedhojë, Gjykata e dënoi qeverinë me një gjobë prej 20 milionë dollarësh si pagesë që duhet të bënte për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar kompanisë amerikane. Por, qeveria nuk është pajtuar me vendimin dhe e ka çuar çështjen në Apel. Ende nuk dihet se sa do të zgjasin procedurat gjyqësore të kësaj çështjeje, por të paktën deri tani të gjitha vendimet e dhëna kanë qenë kundër Shqipërisë, e cila rrezikon një gjobë jo të vogël në një nga periudhat më të vështira të financave publike të vendit.
Projekti
Qeveria “Nano”, në vitin 2003 vendosi të marrë një kredi me vlerë rreth 95 milionë dollarë për të modernizuar linjën hekurudhore Tiranë - Durrës dhe për të realizuar lidhjen e saj me Aeroportin e Rinasit. Vendimi parashikonte se projekti do të realizohej nga kompania amerikane “General Electric”. Me dy vendimet e miratuara, qeveria vendosi të tërheqë nga banka “ABN AMRO” dhe nga Banka Amerikane e Shqipërisë një total prej rreth 95 milionë dollarësh. Shuma do t’i besohej kompanisë amerikane “General Electric”, ndërsa për 8-10 vjet Shqipëria do të duhet të paguante rreth 140 milionë dollarë për bankat që financonin projektin. Leverdia ekonomike e projektit ishte një nga pikat më të diskutuara dhe të kundërshtuara të tij nga opozita, por edhe nga LSI-ja, FMN-ja dhe Banka Botërore, pasi Shqipëria do të merrte kredi me kushte tregtare. Në bazë të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe “General Electric”, me shumën prej 63,6 milionë eurosh dhe 13,5 milionë dollarësh do të realizohej modernizimi i rrjetit ekzistues me gjatësi 38 km të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, do të riparoheshin apo ndërtoheshin 8 stacione pasagjerësh dhe të ndërmjetme, si dhe do të ndërtoheshin 6 km linjë e re hekurudhore, që do të lidhte Tiranën e Durrësin dhe Aeroportin e Rinasit.
Akuza
Pas prishjes së kontratës nga qeveria “Berisha” në vitin 2005, kompania e njohur amerikane, “General Electric” (GE), kërkoi 20 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblim nga shteti shqiptar për kontratën e prishur nga ana e qeverisë shqiptare.
Njoftimi për hapjen e gjyqit është bërë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit me qendër në Paris (Francë), pranë së cilës kompania “GE” depozitoi së pari ankesën e saj. Projekti për modernizimin e segmentit hekurudhor Tiranë - Durrës u miratua nga ish-qeveria socialiste. Burime nga Avokatia e Shtetit në atë kohë bënë të ditur se në zyrat e tyre qeveria kishte sjellë për shqyrtim padinë e ngritur nga kompania e njohur amerikane “GE” për anulimin e kontratës në fjalë. Po cilat janë arsyet që kompania amerikane “GE” kërkon 20 milionë dollarë dëmshpërblim? Sipas pretendimit të kësaj kompanie, qeveria shqiptare ka penguar angazhimin e mëtejshëm të kompanisë amerikane për të marrë pjesë në projekte të tjera në vendet e rajonit, pasi ajo priste të fillonte projektin në Shqipëri. Si pasojë e këtij mosangazhimi, kompanisë i është shkaktuar një dëm prej afro 20 milionë dollarësh. Përkthyer në terma tregtarë, pretendimi për një dëmshpërblim prej 20 milionë USD, sipas kompanisë, përllogaritet si fitim i munguar.
Mbrojtja
Ndërkaq, zyrtarë të lartë të Avokatisë së Shtetit bënë të ditur se nga pala shqiptare nuk është bërë asnjë shkelje, sepse Kuvendi nuk e ka miratuar marrëveshjen për modernizimin e këtij segmenti hekurudhor. Ndonëse vendimi është marrë në qeveri, kontrata nuk është ratifikuar në Kuvend dhe, për rrjedhim, ajo nuk është e vlefshme. Zyrtarë të Kuvendit bënë të ditur se, projektligji mbi të ashtuquajturin “tren elektrik” u depozitua në Kryesinë e Kuvendit për t’iu nënshtruar gjykimit të parlamentarëve në Komisionin e Ekonomisë dhe më pas për të kaluar në seancë plenare për miratim. Por, ndonëse projektligji u soll në Kryesinë e Kuvendit, ai rezultoi të mos ndjekë procedurën që ndiqet për projektligjet në Kuvend.
BOX
Dëmshpërblimi
Kompania e njohur amerikane “General Electric” (GE) kërkon 20 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblim nga shteti shqiptar për kontratën e prishur nga ana e qeverisë shqiptare për modernizimin e segmentit hekurudhor Tiranë-Durrës, ose, siç njihet ndryshe në zhargonin e përditshëm dhe atë politik, “treni elektrik”.
Kompania
“General Electric” është një kompani mjaft e njohur prestigjioze dhe e plotfuqishme në qeverinë amerikane. “GE” ka një ndër nivelet më të larta të kontraktimeve me qeverinë amerikane. Ajo është një ndër 3 prodhuesit më të mëdhenj të botës së makinerive, të pajisjeve për boing dhe për prodhimet e avionëve ushtarakë. Lufta kundër terrorizimit i ka rritur në mënyrë të menjëhershme kontratat ushtarake me këtë kompani. Madje, gjatë kohës së Klintonit, “GE” ka pasur një bum të kontratave ushtarake në bazë të direktivave të Presidentit, të cilat i lejonin diplomatët amerikanë që të promovonin shitjen e armëve jashtë, me qëllim mbrojtjen e investimeve amerikane. Kompania është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë përsa i përket zhvillimit të teknologjive të reja, si dhe të ekonomisë në vendet e zhvilluara ku përfshihen pjesë të këmbimit për avionë, energji, naftë, gaz e ndërtimin e hekurudhave.
Qëndrimi i FMN-së dhe Bankës Botërore
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore që në fillim u deklaruan kundër projektit për marrjen e kredisë për modernizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Shkak për këtë kanë qenë kushtet e kredisë me të cilën do të realizohej projekti, të cilat, sipas tyre, u vlerësuan tepër të larta. Në shenjë kundërshtimi, BB bllokoi kredinë prej 6 milionë eurosh që do të përdorej për të shtruar gjysmën e Unazës së Tiranës nga Zogu i Zi deri te Bërryli.
19 Mars 2010