E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Berisha u ka 100 milionë euro borxh ndërtuesve të rrugëve”



Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha t’u kërkojë falje ndërtuesve të rrugëve, të cilëve u ka 100 milionë euro borxh. Deklarata vjen pasi kryeministri Berisha inauguroi dje rrugën e Prezës, por deputeti Beqja shpreh shqetësimin se nëpër Shqipëri kanë mbetur si varre të hapura kantieret e braktisura të Milotit, Korçës, Tepelenës etj. Ai tha se kryeministri inauguron rrugë të reja, por nuk ka guxim të na tregojë se ku janë 6 mijë kilometrat që gënjeu vjet se i mbaroi. “Berisha inauguron rrugë të reja ndërkohë që inaugurimet vjetra nuk ka para për t’i përfunduar. Kryeministri i kutive të mbyllura u shpreh se ekonomia shqiptare nuk u prek nga kriza globale. Pra pranoi se kriza e sotme e ekonomisë shqiptare është fund e krye përgjegjësi e tij. Por nuk na tha se edhe nëse ka rritje në vitit 2009, kjo është 3 herë me e ulët se mesatarja e dekadës së fundit”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, shqiptarët dhe biznesi nuk janë në nivelin ekonomik që deklaron Berisha. “Kryeministri pretendon se jemi një nga 4 vendet e vetme me rritje ekonomike, por nuk guxon të shpjegojë pse shqiptarët jetojnë keq, pse sipërmarrësit fitojnë më pak, pse biznesi i vogël ka të ardhura më të pakta. Kryeministri premtoi rritje pagash e pensionesh, por rritja e ushqimeve 20 – 30% e ka ngrënë prej kohësh rritjen e majit 2009 dhe të rritjen e re të 2010”, - u shpreh deputeti Beqja.

Kodheli: “Kontrolli i bizneseve, një sulm tjetër i kryeministrit Berisha”

Partia Socialiste deklaroi dje se kontrolli i bizneseve është një tjetër sulm i qeverisë ndaj biznesit. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, u shpreh se deklarata e kryeministrit Sali Berisha për kontrollin e bizneseve është jashtë normave të tregut të lirë dhe cenon klimën e biznesit në vend. Kodheli shtoi se kjo masë e qeverisë merret në momentet më të këqija të situatës ekonomike në vend. “Sali Berisha vendosi t'i hakërrehej edhe njëherë biznesit. Pikërisht në këtë moment, në kulmin e krizës politike dhe ekonomike që po kalon Shqipëria, Sali Berisha vendosi ta mbyllë edhe më shumë hapësirën për frymëmarrje të biznesit shqiptar”, - u shpreh Kodheli. Ajo theksoi se projektligji i propozuar nga qeveria është refuzuar më parë nga komunitetit i biznesit në vend. Sipas Kodhelit, me këtë vendim qeveria ka shkelur të drejtën e bizneseve për t’u ankimuar në gjykatë. “Edhe pse i refuzuar nga komuniteti i biznesit muaj më parë, Sali Berisha, me kokëfortësi, këmbënguli në vendimin për të vjelë gjobat edhe në ato raste kur gjobat apelohen në gjykatë. Pra, edhe kur gjykata ende nuk është shprehur nëse një gjobë është e ligjshme apo jo, e rregullt apo e gabuar, sërish qeveria e Sali Berishës kërkon të marrë paratë, pavarësisht vendimit të gjykatës”, - u shpreh ajo. Në emër të PS-së, Kodheli ka shtuar se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në botën e biznesit, duke qenë se situata ekonomike nuk është e favorshme për investimet. “Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë së votave të vjedhura të tregohet e kujdesshme me biznesin vendas dhe atë të huaj, sidomos në këtë moment kaq delikat që po kalon ekonomia shqiptare. Deklarata e kryeministrit të Ruzhdies, nuk mund të shihet ndryshe veçse si sulmi i radhës ndaj komunitetit të biznesit shqiptar”, - u shpreh Kodheli.

G99-a, ndërkombëtarët i tërheqin vëmendje qeverisë për transparencë të zgjedhjeve

Lëvizja “G99” ka reaguar dje në lidhje me të dhënat që përmbaheshin për Shqipërinë në raportin vjetor të Britanisë së Madhe për të drejtat e njeriut. G99-a i ka cilësuar vlerësimet që bëheshin për vendin tonë në radhët e këtij raporti si mjaft negative, duke përbërë kështu “kambana alarmi për qeverinë”. “Edhe njëherë ndërkombëtarët po i tërheqin vërejtje shumicës qeverisëse, duke kërkuar transparencë të zgjedhjeve, si dhe konsensus në nivelin politik që do të mundësonte kryerjen e zgjedhjeve demokratike në vend”, - citohet në qëndrimin e lëvizjes “G99”. Duke iu referuar raportit, G99-a citon se korrupsioni në Shqipëri është shpërndarë gjerësisht në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë dhe puna e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit është e mangët. Ndërsa shtohet se raporti gjithashtu thekson se gjatë vitit 2009 ka pasur shumë raste të sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe presione të ushtruara ndaj mediave të pavarura, sidomos në periudhën përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Më tej G99-a citon raportin përsa u përket çështjeve të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të cilat nuk u përputhën me standardet më të larta demokratike”.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›