Abuzime me dosjet, hetim 4 gjyqtarëve të Elbasanit
Fatos Mahmutaj
Ministria e Drejtësisë gjen me shkelje gjyqtarët e Elbasanit. Burime nga ky institucion pohojnë se, ende nuk ka një raport përfundimtar, por paraprakisht konfirmohet se inspektorët kanë konsideruar shkelje lirimin nga qelia 20-vjeçarit Suel Çela, më një qershor të këtij viti, i arrestuar për vrasje. Inspektimi në këtë gjykatë ka nisur prej një muaji ndërsa inspektorët kanë marrë në dorë çështjet e gjykuara gjashtëmujorin e parë të këtij viti nga togat e zeza të Elbasanit. Ministria e Drejtësisë sqaroi dje se inspektorët, të cilët kanë marrë në dorë dosjen e lirimit të Çelës pohojnë se, trupi gjykues ka anashkaluar provat në ngarkim të të riut dhe i ka dhënë atij pafajësi. Inspektimi, që pritet të përfundojë në ditët në vazhdim ka gjetur me shkelje edhe një tjetër gjykatës në Elbasan, për çështje të tjera, ndërkohë pritet që gjithçka të përpilohet në një raport, i cili do t’i dorëzohet ministrit të Drejtësisë bashkë me rekomandimet përkatëse. Krimi për të cilin u arrestua dhe lirua Suel Çela ka ndodhur mbrëmjen e 27 shtatorit 2006 në qytetin e Elbasanit, kur u ekzekutua me armë Roland Musta, fqinj i të pandehurit. Ndaj të riut u ngritën akuzat: “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas hetimeve paraprake ai u shpall në kërkim dhe u arrestua në Shkodër pak ditë më vonë. Por në fund të shqyrtimit të çështjes trupi gjykues i drejtuar nga kryegjyqtari i Elbasanit Bujar Musta, argumentoi pafajësinë e të pandehurit pasi deklaroi pavlefshmërinë e procesverbalit të sekuestrimit të provave materiale, pavlefshmërinë e këqyrjes së një karte telefonike, pavlefshmërinë e procesverbaleve të dokumentimit të përgjimeve, pavërtetësinë e deklarimeve të prindërve dhe dëshmitarëve të tjerë. Prokuroria në kërkesën për dënimin e të riu me 25 vjet burg pretendoi se motivi i krimit ishte lidhja e viktimës me një dëshmitare, që u pyet gjatë procesit. Por, sipas trupit gjykues, kjo arsye nuk u arrit të vërtetohej nga prokuroria. Çela u lirua në sallën e gjyqit, ndërsa morën pafajësi edhe dy të bashkëpandehurit me të që u akuzuan për përkrahje të autorit të krimit. Vendimi për ta u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimës, të cilët nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit pretenduan se gjykata kishte liruar vrasësin duke mos vlerësuar asnjë provë fajësie në ngarkim të tij.
Deklaratat
Kryeministri Berisha gjatë një turi në qytetin e Peqinit në verë të këtij viti deklaroi se ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta, liroi një vrasës, duke dëshmuar se ka ende pushtetarë të korruptuar. “Nuk arrestohen gjykatës, ndonëse ka prej tyre që janë 10 herë më të zinj se krimineli. A e dini se çfarë bëri kryetari i Gjykatës së Elbasanit? Ai liroi vrasësin. Kjo ngjarje është shumë tronditëse”, tha kreu i qeverisë. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë në fillim të muajit korrik pohoi se kishte zbuluar shkeljen e kryer nga gjyqtarët elbasanas.