E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryepolici: Do ekstradojmë Bashkim Drizën

 

TIRANE – Zyrtarët e policisë shqiptare marrin premtimin për ekstradimin e Bashkim Drizës nga Uruguai. Lajmi është konfirmuar nga burime të Policisë së Shtetit, pas takimit të zhvilluar mes zëvendësministrit të Brendshëm, Gent Strazimiri, kreut të Policisë Ahmet Prençi dhe shefit të Interpol Tiranës, Pëllumb Seferi me kreun e policisë uruguaiane. Burimet zyrtare thanë se, gjatë këtij takimi kryepolici i Uruguait u ka premtuar homologëve të tij shqiptarë se do të ushtronte autoritetin e tij për tek organet vendimmarrëse për ekstradimin e Bashkim Drizës, ish-kreu i fondacionit “Populli” i arrestuar pak ditë më parë. Të njëjtat burime pohuan se, kreu uruguaian i Policisë, u ka kërkuar homologëve shqiptarë që të dërgohet dokumentacioni i plotë bashkë me provat përkatëse. Bashkim Driza 50 vjeç, është arrestuar dy javë më parë nga policia uruguaiane, në kryeqytetin e vendit Montevideo, pas më tepër 11 vitesh kërkimi të tij që nga koha e arratisjes në vitin 1997. Ai është dënuar më 15 vite burg për mashtrim në shuma të mëdha. Strazimiri, Prençi dhe Seferi ndodhen në Shën Petërburg, që prej disa ditësh ku po zhvillon punimet Asambleja e 77 e Interpolit. Gjatë punimeve, krerët e policisë shqiptare kanë takuar homologët e tyre italianë, amerikanë, Afrikës së Jugut, Turqisë dhe Greqisë. Gjatë takimeve të tyre me homologët e këtyre vendeve drejtuesit shqiptarë kanë kërkuar rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit.                      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›