E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset atentatori i punëdhënësit, akuzë në spital për vrasje në tentativë

 

SARANDE - Nga spitali në prangat e policisë ka përfunduar i plagosuri në atentatin e së enjtes, 40-vjeçari Xhezair Hysa. Shënjestër ishte pronari i Hysës, por ky i fundit mbeti vetë i plagosur nga sasia e eksplozivit. Burime pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, bëjnë të ditur se ngjarja kishte për motiv një punë e papaguar. Xhezair Hysa ishte punësuar si çoban i lopëve, në pronësi të shtetasit Feruz Basho, por për shkak të pagesës mes tyre lindi një debat i ashpër. Aq sa në mbrëmje, në vendin e quajtur “Axhensia e Udhëtarëve” në Sarandë, Hysa ka ndezur fitilin e lëndës plasëse rreth orës 21:25 dhe ka tentuar ta hedhë atë në drejtim të automjetit ku ndodhej pronari. Por, eksplozivi i ka shpërthyer në dorë, duke i prerë parakrahun. Dëshmitarët e rastit e kanë transportuar drejt spitalit të qytetit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale deri në mëngjes. Dje i është komunikuar prerja e fletë-arrestit, nën akuzat, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Gjatë marrjes në pyetje, Xhezair Hysa ka treguar para efektivëve të policisë edhe furnizuesin me tritol. Ai është Kristo Dhimërtika, 28 vjeç, banor i fshatit Nivicë të Sarandës, i cili u prangos menjëherë. Policia ka kryer një kontroll në stanin e tij, duke gjetur një sasi të madhe lënde eksplozive, 1 kallashnikov, 4 krehra automatiku, kapsolla detonatore, etj.            sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›