E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Qeveria të marrë urgjent masa për frenimin e rritjes së çmimeve



Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga qeveria që të marrë urgjent masa për frenimin e rritjes së çmimeve, që po i kanosen sërish ekonomisë së vendit. Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, tha se në rast se qeveria nuk do të marrë masa, atëherë në Shqipëri do të thellohet edhe më shumë niveli i varfërisë.
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehim shqetësimin për alarmin e madh të dhënë ditët e fundit nga institucionet ndërkombëtare, për rritjen e çmimeve në artikujt ushqimorë, të cilët edhe aktualisht janë shumë të larta. Vala e efektit të krizës globale ende nuk ka mbërritur me gjithë forcën e saj në Shqipëri, ndërkohë që shihet se nuk ka asnjë masë preventive nga qeveria dhe institucionet tona financiare. Qeveria duhet urgjentisht të marrë masat për përballimin e kësaj situate që kërcënon konsumatorët shqiptarë dhe bizneset. Mungesa e këtyre masave do të bëjë që në Shqipëri të thellohet edhe më shumë varfëria dhe do të ketë ulje të nivelit të jetesës së qytetarëve”, - deklaroi Neranxi. Deputeti i LSI-së denoncoi gjithashtu edhe presionin fiskal të urdhëruar nga qeveria në dëm të bizneseve të ligjshme. Ai tha se mënyra selektive që po ndjek qeveria po i çon këto biznese drejt falimentimit. Neranxi i bëri thirrje qeverisë që të rishikojë politikën e taksës së sheshtë të ndjekur prej saj. “Bizneset e ligjshme po përballen me presionin fiskal të ushtruar nga qeveria në mënyrë selektive, po përballen me rrezikun e falimentimit. Njëkohësisht ne i bëjmë thirrje qeverisë që të rishikojë politikën e taksës së sheshtë, që sipas nesh, nuk solli asgjë tjetër veç shtimit të informalitetit dhe trajtimit selektiv të këtyre bizneseve, duke dëmtuar më shumë biznesin e vogël”, - deklaroi deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›