E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Partia Socialiste fiton zgjedhjet e vitit 2009”

Kreu i PS-së: “Do të jemi lokomotiva e punësimit të shqiptarëve”. Rama: “Zgjidhja e papunësisë, një prej prioriteteve tona kryesore”

Shaban Sulçe
Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi dje se ishte optimist për arritjen e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2009. Rama tha se kjo fitore do të arrihej falë një koalicioni të madh politik, ku përveç partive, pjesëmarrës të këtij koalicioni do të jenë edhe gjithë shqiptarët.
“Partia Socialiste është forca që do të fitojë zgjedhjet e 2009-s, sepse është forca që po ndërton çdo ditë rrugët e shpresës, rrugët e zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit dhe që po ndërton çdo ditë një koalicion të madh, që është një koalicion mes partish, por është edhe një koalicion mes politikës dhe qytetarëve, duke e kthyer politikën në një instrument në duart e çdo qytetari, që dëshiron përmes Partisë Socialiste, të bëj të dëgjohet zëri i vet dhe që në programin tonë të ri, do të gjej rrugën e vet”, - tha Rama.
Punësimi
Kreu i selisë rozë ka qenë dje i pranishëm në një bashkëbisedim me gazetarët e shtypit të shkruar dhe atij viziv të zhvilluar në ambientet e Partisë Socialiste. Ai ka mbajtur një fjalim me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve. Duke shprehur shqetësimin për nivelin e madh të papunësisë, mungesës së sigurisë në punë dhe humbjen e shpresës së të rinjve për t’u punësuar në Shqipëri, Rama deklaroi se punësimi do të jetë një prioritet kryesor i Partisë Socialiste. Ai tha se PS-ja do të jetë lokomotiva e punësimit në Shqipëri. “1 Maji është ditë botërore për punën, për të drejtën e punës, për sigurinë në punë, për mundësitë e barabarta për punë, për luftën kundër çdo diskriminimi në punë, e kjo është një ditë ku dua të nënvizoj angazhimin solemn të Partisë Socialiste, për t’u bërë lokomotiva e punësimit, lokomotiva e hapjes së perspektivës për punë, për të rejat dhe të rinjtë, në fshat e qytet, lokomotiva e krijimit të kushteve të formimit profesional, lokomotiva e betejave emancipuese për të kushtet e barabarta pune për gratë e për burrat, lokomotiva për hapjen e vendeve të reja të punës, përmes nxitjes së sipërmarrjes së vendit dhe të huaj, lokomotiva për ta çuar Shqipërinë në një rrugë të re, që është rruga e punës, e njerëzve të punës, e të drejtës për punë”, - deklaroi Rama.
Aleatët
Rama nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me zhvillimet e vrullshme brenda kampit të majtë, apo nismës së shpallur nga LSI për organizimin e Referendumit për mbrojtjen e Kushtetutës. “Ju siguroj se 1 Maji është më i rëndësishëm se sa pyetjet shtesë, pasi është një ditë ku realisht në mënyrë të veçantë, ne, në këtë Shqipëri, ku ka kaq shumë papunësi, ku ka të reja e të rinj që e shikojnë alternativë të vetme arratinë, ku ka kaq shumë probleme me sigurinë në punë, ku ka kaq shumë punë në të zezë dhe kaq shumë skllavëri në punë, së paku në këtë ditë, të flasim për këtë problematikë që është shumë më e rëndësishme se sa cilido që kërkon ta mbajë politikën e interesave të politikanëve. Pa dyshim, për pyetjet e tjera kemi ditë plot, kështu që ju lutem që sot të mos i jepni borxh nga 1 Maji asnjë sekondë politikës së vjetër”, - deklaroi Rama

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›