Abuzimet, kontroll në Durrës dhe në Vlorë
• TIRANE – Hipotekat e Durrësit dhe Vlorës i janë nënshtruar disa javë më parë kontrollit nga një grup specialistësh të Sektorit të Kontrollit Tekniko-Ligjor të ZRPP-së.Në sitën e kontrollorëve kanë kaluar praktika të kryera në Hipotekën e Durrësit dhe Vlorës kohët e fundit, në të cilat janë evidentuar disa parregullsi dhe shkelje ligjore. Me përfundimet e kontrollit është përpiluar një raport paraprak, i cili i është dërguar dy institucioneve për të përgatitur observacionet. Pas kësaj pritet që gjithçka të shënohet në një raport, i cili do i dorëzohet kryeregjistruesit të Republikës, Arben Qirjako, bashkë me sugjerimet për masa ndaj regjistruesve dhe specialistëve që janë gjetur me shkelje. Burime nga Hipoteka pohojnë se kontrolli, i cili përfundoi pak ditë më parë, u krye nga ZRPP-ja qendrore pas ankesave të mbërritura në të nga qytetarë vlonjatë dhe durrsakë, të cilët pretendonin se në Hipotekë ishte abuzuar me dokumentacionin e pronave të tyre. Në raportin paraprak është përmendur se në dy institucionet e kontrolluara janë gjetur shkelje të shumta, që kanë të bëjnë me mbivendosje të pronave dhe mungesë dokumentacioni në regjistrimin e tyre. Hipotekat pohojnë se gjatë këtyre ditëve janë kryer inspektime apo janë duke u kryer në hipotekat e disa rretheve të tjerë, konkluzionet dhe raportet për të cilat pritet të publikohen në ditët në vazhdim. Në artikullin e numrit të djeshëm të gazetës “Panorama” me titull: “Shkarkimet, 200 abuzime në Hipoteka”, në të cilin është shkruar: “Ministria pohoi se tashmë ka nisur në prokurori të gjithë dokumentacionin e duhur në ngarkim të të shkarkuarve për t’i marrë nën përgjegjësi penale”, është cituar si burim zyrtar i lajmit Ministria e Drejtësisë. Gazeta sqaron se burimi i këtij lajmi ka qenë institucioni i Hipotekës dhe jo Ministria e Drejtësisë. fa.ma.