Lirimi i 13-vjeçarit “vrasës”,akuza sherr me Ministrinë
• Historia e pazakontë e Romario H., minorenit që bëri një vrasje që në moshën 13-vjeçare, i cilësuar si “monstra i Beratit”, është bërë shkak për një konflikt mes Prokurorisë së Vlorës dhe Ministrisë së Drejtësisë.Trazhgim SokolajOrgani i akuzës ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë gjetjen e një vendqëndrimi për të mbajtur të pandehurin për vrasje, i cili është lënë i lirë, pavarësisht akuzës së rëndë dhe krimit makabër që akuzohet se ka kryer. Mungesa e një institucioni riedukimi në Shqipëri, duket se e ka favorizuar të akuzuarin më shumë se gjithçka tjetër. Prokuroria i ka kërkuar ministrisë gjetjen e një vendi për qëndrimin e të akuzuarit në kushte edukative, derisa gjykatat e cilësuan atë “të padënueshëm” për krimin që ka kryer. Minoreni pandehet se ka vrarë në mënyrë barbare më 12 nëntor 2007, 40-vjeçaren Engjëllushe Sinjari, banuese në fshatin Skrevan të Beratit. Prokuroria e Vlorës, e cila ka hetuar vrasjen e ndodhur në Berat, dy herë me radhë i është drejtuar në mënyrë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë. Në kërkesat e saj, Prokuroria thekson se duhet të gjendet një vend për riedukimin e 13-vjeçarit të akuzuar për vrasje, përndryshe ekziston rreziku serioz që ai të lirohet nga gjendja e arrestit. Ministria e Drejtësisë, pavarësisht detyrimit ligjor të saj, nuk ka kthyer asnjë përgjigje në Prokurori për fatin e 13-vjeçarit. Si rrjedhim, në zbatim të vendimit të gjykatës dhe ekspertizës së mjekëve, i akuzuari për vrasjen është lënë i lirë. Shpëtoi nga ligjiRomario H., 13-vjeçari i akuzuar për krimin dyshohet se ka përdhunuar, vrarë e grabitur viktimën. Ngjarja mori përmasa tronditëse pasi i akuzuari pranoi qetësisht krimin që kishte kryer. Për këtë çështje, Prokuroria e Vlorës filloi menjëherë hetimet duke ngritur akuzë ndaj minorenit, i cili u arrestua menjëherë nga policia. Pak kohë më pas, gjykatat interpretuan se Romario H. nuk e kishte arritur moshën për të mbajtur përgjegjësi ligjore. Në këto kushte, pavarësisht akuzës së rëndë në adresë të tij, vetë ligji e parashikonte rastin e tij si të padënueshëm. Prokuroria tentoi të mbante qëndrim, por sipas Kodit të Procedurës Penale ndaj 13-vjeçarit nuk mund të caktohej asnjë masë tjetër sigurimi, veç masave edukuese. Nga akti i ekspertimit i bërë nga psikiatri ligjor S.Preçi më datë 27 nëntor 2007, rezultoi se “gjendja psikiatrike e fëmijës Romario H. nuk kërkon trajtim mjekësor të detyruar, por trajtim edukativ të detyruar në një institucion edukativ, nën një regjim sigurie të lartë dhe nën kontrollin e pandërprerë të një personeli edukativ (përfshirë edhe punonjës social e terapist). Pas këtij përfundimi, Prokuroria e Vlorës kërkoi nga Ministria e Drejtësisë caktimin e një vendqëndrimi me kushte edukative për 13-vjeçarin, por si pasojë e mungesës së përgjigjes nga dikasteri i drejtësisë, gjykatat lanë të lirë të akuzuarin për vrasje.Berat, minoreni u mbajt me policë në spital pas arrestimit për vrasjeTIRANE – Dy ditë pas arrestimit të tij më 12 nëntor 2007, minoreni i akuzuar për vrasjen, grabitjen dhe përdhunimin e 40-vjeçares është vendosur në spitalin e Beratit, ku ruhej nga dy efektiva policie. Organet e rendit dhe Prokuroria kanë renditur në adresë të 13-vjeçarit një mal me akuza, duke e paraqitur atë si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas tyre, pak kohë para vrasjes së gruas 40-vjeçare, Romario H. kishte tentuar të vriste një 60-vjeçar për t’i grabitur 40 mijë lekë. Policia ka hedhur dyshime se 13-vjeçari ishte autor i përdhunimit të dy vajzave 18-vjeçare nga i njëjti qytet. Por pavarësisht akuzave të ngritura ndaj tij, minoreni i pandehur për vrasje ka shpëtuar për shkak të moshës. Dënimi dhe mbajtja e tij në gjendje arresti nuk lejohet nga ligji. Ky i fundit lejon vetëm mbajtjen në ambient riedukimi për të akuzuarin, por në mungesë të institucioneve të riedukimit, minoreni është lënë i lirë, pavarësisht qëndrimit të ashpër të mbajtur nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka zhvilluar hetimet për ngjarjen. t.s