E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfeti me patentat, shtatë në kërkim

• Prokuroria firmos edhe shtatë urdhra arresti të tjerë ndaj zyrtarëve dhe personave të implikuar në korrupsionin dhe falsifikimin e dokumenteve gjatë dhënies së patentave në Tiranë.Dashamir BiÇakuShpallja në kërkim për shtatë të dyshuar të tjerë është bërë vetëm një ditë pas arrestimit të pesë zyrtarëve që ranë në pranga mbrëmjen e së enjtes. Zyrtarët e arrestuar tri ditë më parë në Tiranë me akuzat e mitmarrjes dhe korrupsionit jepnin patenta për kursantët pa i futur fare në provim. Kushti i vetëm që duhej të plotësonin ata që kërkonin pajisjen me leje për drejtim automjeti, nuk ishin aftësitë, por pagesa nën dorë prej 35 mijë lekësh. Hetimet, të cilat kanë filluar në muajin janar 2008, kanë zbuluar se askush nga kursantët nuk mund të merrte patentën nëse nuk paguante ryshfet edhe nëse në prova arrinte të fitonte vlerësimin me 100 pikë. Në janar të këtij viti Prokuroria ka marrë dijeni për skemën korruptive të dhënies së patentave nga autoshkolla “Univers Vip” dhe dy komisionerë të vlerësimit të kursantëve. Gjatë arrestimit të pronarit të autoshkollës me dy instruktorët dhe dy komisionerët e vlerësimit, policia u ka sekuestruar atyre në total 1.7 milionë lekë të reja, që dyshohet se janë ryshfete të paguara nga kursantët. HetimiHetuesit kanë regjistruar procedimin penal në policinë e Tiranës dhe materiali është përcjellë për në zyrën e Task-Force në Prokurorinë e kryeqytetit. Nga hetimi është mësuar se pronari autoshkollës “Univers Vip”, Kadri Dajçi, efektiv i policisë së Tiranës, u premtonte klientëve mundësinë e marrjes së patentës, pa hyrë fare në provim. Sipas hetimeve dyshohet se ai u thoshte atyre t’i jepnin paratë që më pas ai i paguante dy anëtarëve të komisionit, Emiliano Kahu nga Shijaku dhe Sokol Breça. Dy anëtarët e komisionit sipas burimeve hetimore, merrnin pjesën më të madhe të fitimit, ndërsa instruktorët dhe pronari i autoshkollës merrnin një pjesë më të vogël. Paratë paguheshin para provimit ndërsa anëtarët e komisionit plotësonin testimin, në mënyrë që pikët të ishin mbi kalueshmërinë për kursantët që paguanin ryshfet. Hetuesit mësohet se kanë zbuluar ditën e arrestimit, së paku 20 teste të plotësuara nga komisionerët që mendohet se i përkasin kandidatëve të autoshkollës “Univers Vip”. Dy anëtarët e komisionit të dhënies së patentave, Emiljano Kahu dhe Sokol Breça, bashkë me pronarin e autoshkollës Kadri Dajçi dhe dy instruktorët, Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi, ishin bashkuar për një drekë pasditen e së enjtes. Takimi është lënë tek një lokal i vogël në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Komisariatit nr.2. Agjentët dhe oficerët e zyrës së antikorrupsionit, kanë prishur festën ndërsa kanë hyrë me pranga në duar. Pas arrestimit të pesë zyrtarëve agjentët i çuan ata me pranga në zyrat e tyre tek Drejtoria e Patentave. Aty janë sekuestruar të gjitha dosjet e kandidatëve që kishin konkurruar një ditë më parë.Hetimi pas marrjes së patentës nga Sulejman Pasha, themelues i TiranësTIRANE - Sulejman Pashë Bargjini, që njihet si themeluesi i kryeqytetit, busti i të cilit qëndron në kryqëzimin e rrugës së “Barrkikadave” dhe “Luigj Gurakuqit”, është një ndër shoferët e pajisur me patentë nga Sokol Breça dhe Emiljano Kahu. Dosja e tij, është dorëzuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, për marrje patente, ndërsa ai rezultonte 39 vjeç, banues i Njësisë Bashkiake nr.7. Më tej në muajin janar, Sulejman Pasha “është bërë” edhe me dëshmi aftësie për drejtim automjetesh. Rasti i Sulejman Bargjinit, është bërë publik nga emisioni “Fiks Fare” në muajin janar. Nga ky rast ka marrë shkas hetimi për korrupsionin me dhënien e patentave. Hetuesit kanë sekuestruar kasetën, ndërsa kanë siguruar pamje filmike të tjera gjatë hetimit si dhe përgjime telefonike dhe ambientale. Dosja e Sulejman Pashës është sekuestruar nga oficerët si provë shkresore, pasi i gjithë dokumentacioni i saj ishte i falsifikuar. Sulejman Pasha, në këtë dosje rezultonte të ishte 39 vjeç dhe banor i njësisë nr.7, në kryeqytet. Krerë të policisë së kryeqytetit, kanë pohuar se bashkëpunimi i zyrës së tyre antikorrupsion, me zyrën e përkatëse të Task-Force në Prokurorinë e Rrethit, ka qenë maksimal. Zyrtarë të policisë së Tiranës dhe të zyrës antikorrupsion, nuk kanë dashur të japin detaje mbi hetimin e çështjes. Ndërkaq drejtuesit janë shprehur se hetuesit kishin siguruar prova të plota për të gjithë veprimtarinë abuzive dhe korruptive të të arrestuarve të dy ditëve më parë, gjatë operacionit “Gërshërët e ligjit”.                                 d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›